Artizanët e Butrintit, duart që e kthejnë historinë në kujtime për vizitorët – VIDEO

Artizanët e Butrintit, duart që e kthejnë historinë në kujtime për vizitorët

Në hyrje të qytetit antik të Butrintit, historia merr formë edhe në duart e artizanëve vendas. Prej rreth 20 vitesh, në pikën ku krijojnë dhe tregtojnë punimet e tyre, mozaikët, portreti i Deas dhe simbolet e parkut kthehen në suvenire prej guri, qeramike dhe materialesh të tjera. Artizani Agur Kapo tregon se lidhja me trashëgiminë e Butrintit ka qenë në qendër të punës së tyre që në fillim.

“Që në momentin e parë që erdhëm në Butrint, para 20 vitesh, synimi ishte të punonim me mozaikët dhe historinë e Butrintit. Për këtë na ka ndihmuar edhe Parku Kombëtar i Butrintit. Jemi munduar që të kemi 100% punë dore dhe të respektojmë trashëgiminë kulturore”, shprehet ai.

Në gur, Kapo gdhend motive nga mozaiku i Pagëzimores, mes tyre “Parajsën e Shpëtimit”, “Lulen e Parajsës”, si dhe emblemën e parkut. Një punim mund të kërkojë deri në dy ditë punë. Ai realizon gjithashtu krijime në qeramikë dhe punime me lëvozhgë veze, të cilat kalojnë në pesë procese përpunimi.

Sipas tij, rreth 90% e punimeve në këtë pikë lidhen me Butrintin, ndërsa portreti i Deas mbetet ndër më të kërkuarit nga vizitorët.
“Pa harruar edhe portretin e Deas së Butrintit, që është më i kërkuari nga vizitorët. E realizojmë në gur dhe kjo punë kërkon shumë kohë”, thotë artizani.

Për Gjela Ndoji, artizane nga fshati Shëndëlli, lidhja me qytetin antik nisi përmes gërmimeve arkeologjike. Së bashku me bashkëshortin, ajo punoi për gjashtë vjet në Kalivo dhe në fushën e Vrinës. Prej 18 vitesh, tregton punimet e saj në pikën e artizanëve në Butrint.
“Punimet i bëjmë me dorë, i rregullojmë me bojë e solucione të përziera dhe pastaj me llak. Më pas i shesim këtu, në pikën e artizanëve në Butrint”, tregon ajo.

Krahas krijimeve me motive të qytetit antik, artizania punon vetë edhe çorape e çanta. Aftësia e mësuar herët u kthye me kalimin e viteve në një burim të ardhurash për familjen e saj.
“Me këtë punë kam nisur herët, pasi kam rritur shtatë fëmijë. Kur erdha në Butrint, e ktheva në punë për të siguruar të ardhura”, shprehet ajo, duke shtuar se turistët i pëlqejnë produktet e punuara me dorë.

Për vizitorët, këto suvenire janë një kujtim që marrin me vete nga Butrinti. Për artizanët, çdo krijim përfaqëson orë pune, përvojë dhe një lidhje të përditshme me trashëgiminë e vendit. Saranda Web

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Karburanti GL te Kanali i Çukës kërkon Punonjës karburanti
Lexoni më shumë
Porti Detar Sarandë kërkon të punësojë Oficer të Sigurisë së Portit
Lexoni më shumë
Epirus Hotel në Sarandë kërkon të punësojë Recepsionist
Lexoni më shumë
Rama Premton shpërblim 2500 euro për çdo polic që përballet me protestuesit
Lexoni më shumë
Skënder Hita reagon pas dhunës ndaj policëve nga protestuesit në dyert e Komisariatit
Lexoni më shumë
Princ Leka dënon dhunën ndaj protestuesve: Kush ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.