Realizohet trombektomia e parë në QSUT, 72 vjeçarit gjysëm i paralizuar i rikthehet lëvizshmëria

Shëndet | 1 muaj më parë

Ky është pacienti i parë tek i cili u realizua me sukses trombektomia e parë mekanike. 71-vjeçari erdhi në QSUT thuajse i paralizuar, por falë ndërhyrjes në kohë arriti të rikthejë lëvizshmërinë e gjymtyrëve.

Prof. Arben Rroji i ka treguar ministres në largim, Evis Salës, detajet klinike të rastit, duke e vënë theksin te rëndësia e kritereve që duhet të plotësojë çdo pacient që do t’i nënshtrohet kësaj procedure, shumë jetike në rastet e ishemisë.

“Duhet të ketë indikacione, sepse në qoftë se nuk bëhet sipas indikacioneve, ne mund të kemi pastaj të kundërtën e asaj që presim të kemi dhe hemorragji të tjera. Jo çdo kandidat është për trombektomi normale. Prandaj, nganjëherë marrim mesazhin e gabuar që kjo është zgjidhje përfundimtare. Pas zgjidhjes, çdo person do të ketë kritere të tilla. Po të jemi të saktë me kriteret, do të kemi rezultate të tilla”, tha Rroji.

Trombektomia mekanike mundëson heqjen e koagulit që bllokon një arterie të trurit dhe, te pacientët e përzgjedhur, synon rikthimin e qarkullimit të gjakut dhe kufizimin e dëmtimeve neurologjike. Sipas Prof. Rrojit, në vijim pritet të zgjerohet edhe gama e ndërhyrjeve neurovaskulare që do të kryhen.

Ekipi që realizoi trombektominë e parë përbëhej nga Prof. Rroji, i Shërbimit të Neuroradiologjisë Diagnostikuese; Dr. Eris Ranxha, nga Shërbimi Neurovaskular; reanimatorët Krenar Lilaj dhe Thoma Kalefi; si dhe neurologët Majlina Shyti dhe Ilirjana Zekja.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme