“3-4 vite pa hapur asnjë libër”/ Dita Ndërkombëtare e Shkrimit dhe Leximit, si anglishtja dhe IA po “vrasin” mendimin kritik, alarmi nga ekspertët

Arsim | 1 muaj më parë

Në kuadër të 8 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Shkrimit dhe Leximit, emisioni “Në radio” i Andri Xhahut në Radio Tirana bëri bashkë përkthyes e botues për të trajtuar sfidat e mprehta me të cilat po përballet gjuha shqipe sot. Nga trysnia e anglishtes dhe zhvendosja e të menduarit tek Inteligjenca Artificiale, të ftuarit ngritën alarmin për rrezikun e humbjes së mendimit kritik dhe identitetit gjuhësor.

Përkthyesja Aida Baro e vuri theksin te ndotja globale gjuhësore ku anglishtja mbizotëron në të gjitha sferat, duke paralajmëruar se problemi kryesor qëndron te mënyra se si mendojmë, jo vetëm te leximi apo shkrimi. Sipas saj, varësia ndaj telefonit dhe ChatGPT po krijon një brez që merr informacione të gatshme dhe të pabesueshme pa e futur trurin në punë. Ajo e cilësoi si një “tragjedi” mbylljen e klasës së shkrimit krijues në Harvard, duke ngritur pyetjen se deri ku do t’i besojmë një inteligjence më të epërme se njeriu?

Këtë shqetësim ndau edhe Elda Vela, botuese e “Mediaprint”, e cila foli për fenomenin e rritjes së analfabetizmit funksional, “individë që dinë të lexojnë e të shkruajnë, por që fatkeqësisht nuk dinë të zhvillojnë një argument apo të kenë një mendim kritik ndaj dukurive shoqërore”. Vela vuri në dukje se teknologjia po shtrembëron strukturën e gjuhës përmes komunikimit të shpejtë, ku po humbasin foljet dhe ndajfoljet, ndërsa kujtoi kohën kur jepte mësim në universitet dhe ballafaqohej me studentë që kishin tre apo katër vite pa hapur një libër jashtëshkollor. Megjithatë, ajo solli një shembull pozitiv nga Nju Jorku, ku Inteligjenca Artificiale është ndaluar në shkolla për nxënësit deri në moshën 15-vjeçare për të mbrojtur mendimin kritik.

Për botuesen e “Dudaj”, Arlinda Dudaj, gjuha shqipe po kërcënohet nga një shtresë njerëzish që nuk lexojnë dhe nuk e shohin atë si pjesë të identitetit të tyre, e shoqëruar kjo edhe nga prirja e disa prindërve për t’i shtyrë fëmijët e vegjël të flasin vetëm anglisht. Pavarësisht kësaj, ajo shprehu optimizëm se njerëzit po kalojnë përmes një procesi reflektimi, duke kuptuar kur nuk kanë lexuar dhe duke kërkuar të bëjnë më të mirën për veten.

David Hudhri, botuesi i “Minerva”, u ndal te ndikimi i fjalëve të huaja në të folurën e të rinjve, komunikimi me mesazhe të shkurtra pa shenja pikësimi që po krijon një standard paralel, si dhe te cilësia e dobët e përkthimeve dhe e librave të paredaktuar që ruajnë strukturën e huaj të fjalisë.

Si një përgjigje ndaj këtyre sfidave dhe në ndihmë të dëgjuesve të Radio Tiranës, të ftuarit sugjeruan katër libra me vlera të veçanta. Aida Baro solli në vëmendje “Një emër në katër rrugë” të Petro Markos, një vepër që pasqyron se si pushteti manipulon njerëzit e thjeshtë përmes fatit të katër personazheve nga Drimadhesi. Për rritjen profesionale dhe personale, Elda Vela sugjeroi “Ditari i CEO-s” të Steven Bartlett, me këshilla praktike për çdo drejtues apo individ. Për pasurimin e gjuhës, Arlinda Dudaj zgjodhi “Endacaku i yjeve” të Xhek London, të cilin e vlerësoi si një studim të vërtetë gjuhësor të mbushur me fjalë të rralla shqipe. Ndërsa David Hudhri sugjeroi librin “Në kërkim të kuptimit” të Viktor Frankl, një rrëfim i fuqishëm mbi gjetjen e kuptimit të jetës përballë vuajtjes ekstreme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme