Ilir Meta kërkon sërish lirimin nga burgu, depoziton rekurs në Gjykatën e Lartë
Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është drejtuar sërish Gjykatës së Lartë me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Meta ka depozituar një rekurs kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila nuk pranoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë më të butë.
Rekursi i ish-Presidentit është regjistruar në Gjykatën e Lartë më 8 shtator 2026. Deri tani, çështjes nuk i është caktuar ende relatori që do të shqyrtojë kërkesën.
Kjo është një tjetër përpjekje e Metës për të ndryshuar masën e sigurimit që e mban në qeli. Më herët, ai ka kërkuar zëvendësimin e “arrestit në burg” me një masë alternative, ndërsa çështja e masës së sigurisë ka kaluar edhe më parë në shqyrtim në instancat më të larta të drejtësisë.
Kërkesa e re vjen në një moment kur Gjykata e Lartë ka vendosur standarde më të qarta për përdorimin e masës “arrest në burg”, duke theksuar nevojën për arsyetim konkret, individualizim të vendimit dhe shqyrtim real të alternativave ndaj kufizimit më të rëndë të lirisë.
Tashmë pritet caktimi i relatorit dhe hapat e mëtejshëm proceduralë për shqyrtimin e rekursit të Ilir Metës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



