Gjykata jep masat për klanin e “Boraqit” në Sarandë
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për 20 persona, të cilët janë nën hetim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/1/2 i Kodit Penal.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë së Sarandës dhe lidhet me hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 442 të vitit 2026. Hetimi ka nisur mbi bazën e informacionit të referuar nga Komisariati i Policisë Sarandë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga organi i akuzës, personat nën hetim dyshohet se vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe cannabis.
Shpërndarja në plazhe, shëtitore dhe ambiente të frekuentuara
Nga hetimet dyshohet se aktiviteti i paligjshëm shtrihej në disa zona të Sarandës dhe Ksamilit. Sipas Prokurorisë, shpërndarja e lëndëve narkotike kryhej kryesisht në zonën e shëtitores, në plazhe, pranë gjimnazeve dhe në ambiente të frekuentuara, përfshirë beach bar-et.
Një nga pistat e hetimit lidhet edhe me shitjen e lëndëve narkotike ndaj turistëve që frekuentojnë zonat bregdetare gjatë sezonit.
Prokuroria dyshon gjithashtu se në aktivitet mund të jenë përfshirë edhe shtetas të huaj, të cilët kontaktonin personat nën hetim për blerjen e sasive më të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas dyshohet se i shpërndanin ato në Sarandë dhe Ksamil.
Sipas hetimeve, cannabis sativa dyshohet se sigurohej në zonën e Shën Vasilit dhe në fshatrat përreth.
Përgjime dhe veprime të simuluara gjatë hetimit
Hetimi është zhvilluar për një periudhë rreth dy mujore, gjatë së cilës, sipas Prokurorisë, janë kryer veprime të simuluara dhe përgjime ambientale.
Këto veprime kanë shërbyer, sipas organit të akuzës, për dokumentimin e episodeve të shitjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të të njëjtit procedim, më herët janë arrestuar edhe tre persona, të identifikuar me inicialet A.N., A.C. dhe K.J., të cilëve u është sekuestruar rreth 4 kilogramë cannabis.
Sipas të dhënave të hetimit, dozat e lëndëve narkotike që dyshohet se shiteshin varionin nga 0.3 gramë deri në 3.5 gramë, ndërsa çmimet raportohet se lëviznin nga 2 mijë deri në 35 mijë lekë, në varësi të llojit dhe sasisë së lëndës narkotike.
Kush janë 20 personat nën hetim?
Gjykata ka vendosur masën “Arrest me burg” për:
- Altin Arapi, i dyshuar si drejtues i grupit të shpërndarjes;
- Arlind Kostaq Osmani;
- Feliks Faik Filija;
- Medi Enver Myftaraj;
- Nikolin Martin Rakipi;
- Altin Halit Arapi (Demiri);
- Klerjan Milsim Popshimi;
- Redian Astrit Arizi;
- Erjon Ruhan Dido;
- Dhimitër Astrit Terolli;
- Xhuliano Emin Mejdi;
- Vasil Armandi Kaçi;
- Flatun Orhan Lalaj;
- Bledar Adi Kovaci;
- Shefqet Ronald Bezhani;
- Andrea Vlash Babi;
- Nazif Edmond Refitaj;
- Elvis Edmond Demçaj;
- Devis Stavro Saliaj;
- Korado Edmondi Omeri.
Sekuestrohen edhe dy armë zjarri
Gjatë ekzekutimit të vendimeve për masat e sigurimit dhe kontrollet e autorizuara nga gjykata, autoritetet kanë ushtruar kontrolle në banesat e personave nën hetim.
Sipas Prokurorisë, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar, ndër të tjera, dy armë zjarri. Armët janë gjetur në banesat e personave të identifikuar me inicialet D.S. dhe Sh.B.
Hetimet për këtë procedim penal vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar dhe rolin që secili prej personave nën hetim dyshohet se ka pasur në të.
Tashmë, 20 personat do të përballen me procedurat e mëtejshme gjyqësore, ndërsa përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet në përfundim të procesit gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



