Fenelina dhe logo policie në makinat civile, Policia paralajmëron “privilegjuarit”
Gjoba dhe pezullim patente
Përdorimi i fenelinave, simboleve të policisë dhe logove të institucioneve shtetërore në automjete civile po shihet si një fenomen që mund të krijojë jo vetëm konfuzion në rrugë, por edhe mundësi për abuzim dhe kryerjen e veprave kriminale. Policia e Shtetit ka urdhëruar forcimin e kontrolleve ndaj mjeteve të paautorizuara që përdorin këto shenja.
Fenelina blu, xhama të errët dhe logo që identifikojnë Policinë, Prokurorinë, Gjykatat apo institucione të tjera të zbatimit të ligjit janë kthyer prej kohësh në një mënyrë për të krijuar përshtypjen e rreme se drejtuesi i automjetit ka status zyrtar.
Në shumë raste, drejtues të mjeteve private i përdorin këto elemente ndërsa lëvizin për arsye personale dhe jo gjatë ushtrimit të ndonjë detyre institucionale. Qëllimi është shpesh krijimi i perceptimit se automjeti duhet të ketë përparësi në qarkullim.
Kjo situatë, përveçse cenon rregullat e qarkullimit, mund të krijojë edhe rrezik për sigurinë publike.
Fenelina për t’u hapur rrugë në trafik
Një nga problemet kryesore lidhet me përdorimin e pajisjeve sinjalizuese nga persona që nuk janë në shërbim dhe që drejtojnë automjete civile.
Me vendosjen e një feneline ose të simboleve që lidhen me institucionet e sigurisë, drejtuesi mund të krijojë përshtypjen se është pjesë e një strukture shtetërore dhe se ka të drejtë të kërkojë përparësi në trafik.
Në këtë mënyrë, një simbol që në rrethana të përcaktuara ligjërisht shërben për identifikimin e mjeteve në shërbim mund të shndërrohet në një mjet përfitimi personal.
Fenelinat dhe pajisje të tjera të ngjashme vijojnë të jenë të aksesueshme edhe në tregun e aksesorëve automobilistikë, çka e ka bërë më të vështirë kontrollin e përdorimit të tyre.
Simbolet e policisë janë përdorur edhe në ngjarje kriminale
Shqetësimi i autoriteteve nuk lidhet vetëm me sjelljen në trafik.
Përdorimi i automjeteve me simbole të policisë është evidentuar edhe në episode ku këto shenja janë përdorur për të krijuar një identitet të rremë institucional.
Një nga rastet e fundit të përmendura është ai i Jozi Markut, i arrestuar nga Policia pas një ngjarjeje ku, sipas autoriteteve, një automjet me simbole policie është përdorur për të sajuar një postobllok dhe për të ndaluar një person me të cilin kishte konflikt.
Raste të tilla tregojnë se pajisjet dhe simbolet që krijojnë përshtypjen e një automjeti zyrtar mund të përdoren përtej qëllimit të tyre dhe, në rrethana të caktuara, të shërbejnë si kamuflim për veprimtari kriminale.
Urdhër për kontrolle më të forta
Përballë këtij fenomeni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka kërkuar forcimin e masave ndaj përdorimit të paautorizuar të simboleve dhe pajisjeve të institucioneve të zbatimit të ligjit.
Sipas udhëzimit, automjetet civile që nuk janë të autorizuara nuk duhet të lejohet të përdorin fenelina, simbole apo shenja identifikuese të institucioneve shtetërore.
Kjo vlen edhe për persona që kanë funksione të caktuara në sistemin e drejtësisë ose të sigurisë, nëse janë duke përdorur automjet privat jashtë orarit të punës dhe nuk janë në shërbim.
Pra, fakti që një person mund të jetë prokuror, gjyqtar, oficer i policisë gjyqësore apo pjesëtar i një strukture tjetër shtetërore nuk i jep automatikisht të drejtën të përdorë shenja zyrtare në automjetin e tij privat gjatë kohës kur nuk është në detyrë.
Edhe policia nuk mund t’i përdorë pa kufizim
Rregullat nuk lidhen vetëm me qytetarët apo automjetet private.
Edhe mjetet e Policisë së Shtetit kanë të drejtë të përdorin fenelina dhe sistemet e tjera të sinjalizimit vetëm në kushtet e përcaktuara nga ligji.
Përdorimi i tyre lidhet me kohën kur automjeti është në shërbim, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe, veçanërisht, në situatat që kërkojnë ndërhyrje apo lëvizje urgjente.
Kjo do të thotë se statusi i punonjësit nuk është i mjaftueshëm për t’i dhënë automatikisht një automjeti civil të drejtën të përdorë pajisje që krijojnë përparësi në qarkullim.
Çfarë parashikon Kodi Rrugor?
Rregullat për përdorimin e sistemeve shtesë të alarmit dhe sinjalizimit përcaktohen në nenin 175 të Kodit Rrugor, i cili rregullon qarkullimin e automjeteve dhe motorëve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave.
Sipas dispozitës, përdorimi i sistemeve zanore shtesë të alarmit dhe, kur automjeti është i pajisur me to, edhe i sinjalizimit pamor me dritë vezulluese blu, lejohet për mjetet që janë në shërbim të policisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave dhe vetëm për përmbushjen e shërbimeve urgjente.
Në këto rrethana, kur sistemet zanore dhe pamore përdoren së bashku, drejtuesit e mjeteve të autorizuara mund të mos zbatojnë disa prej detyrimeve dhe kufizimeve të zakonshme të qarkullimit. Megjithatë, ata duhet të veprojnë pa krijuar rrezik për veten apo për përdoruesit e tjerë të rrugës dhe duhet t’u binden sinjalizimeve të policit të trafikut.
Kodi përcakton gjithashtu detyrimin e drejtuesve të tjerë për t’i krijuar hapësirë kalimit të këtyre mjeteve kur aktivizohet sinjali zanor i alarmit.
Gjobë dhe pezullim patente për përdorimin e paautorizuar
Kodi Rrugor parashikon masa edhe për ata që përdorin në mënyrë të paligjshme sistemet shtesë të sinjalizimit.
Për përdorimin e këtyre pajisjeve jashtë rasteve të përcaktuara në ligj parashikohet gjobë nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë, ndërsa lejedrejtimi mund të pezullohet për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.
Ndërkohë, drejtuesit që nuk u japin përparësi mjeteve të autorizuara që lëvizin në shërbime urgjente mund të përballen me gjobë nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë dhe pezullim të lejedrejtimit nga 12 deri në 24 muaj.
Përtej masave administrative të parashikuara nga Kodi Rrugor, përdorimi i simboleve të institucioneve shtetërore mund të marrë një tjetër dimension juridik në rastet kur këto shenja përdoren për të mashtruar, për të ushtruar presion apo për të lehtësuar kryerjen e një vepre penale.
Nga “privilegj” në rrezik për sigurinë
Fenomeni i përdorimit të fenelinave dhe simboleve zyrtare nga persona që nuk janë në shërbim nuk është më thjesht një çështje estetike apo shkelje e rregullave të qarkullimit.
Përdorimi i tyre mund t’i bëjë drejtuesit e tjerë të besojnë se kanë përballë një automjet shtetëror dhe t’i detyrojë të ndryshojnë sjelljen në rrugë, duke i hapur rrugën ose duke i dhënë përparësi.
Në raste më të rënda, krijimi i një identiteti të rremë institucional mund të përdoret për ndalimin e personave, ngritjen e postoblloqeve të rreme ose për veprime të tjera kriminale.
Pikërisht për këtë arsye, Policia e Shtetit synon që kontrolli mbi përdorimin e fenelinave, logove dhe simboleve zyrtare të mos trajtohet më si një shkelje dytësore.
Mesazhi i autoriteteve është i qartë: një automjet privat nuk mund të shndërrohet në automjet zyrtar vetëm duke vendosur një fenelinë, një logo apo një simbol të Policisë dhe institucioneve të tjera.
Kontrollet pritet të synojnë jo vetëm personat që i përdorin këto pajisje, por edhe mënyrën se si ato vijojnë të qarkullojnë në treg dhe përfundojnë në automjete që nuk kanë asnjë autorizim për t’i mbajtur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



