Kryetarët e Gjykatave: Të zhbllokohen menjëherë pagat, të respektohet vendimi i Kushtetueses

Aktualitet | 1 muaj më parë

Kryetarëve të Gjykatave të Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të mbajtur ditën e sotme kanë kërkuar zhbllokimin e pagave dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi këtë ccështje.

Mbledhja ka shqyrtuar situatën e krijuar nga mosprocedimi i pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, si dhe pasojat e kësaj gjendjeje për funksionimin normal të gjykatave.

Në qëndrimin institucional të kësaj mbledhjeje, theksohet se kryetarët e gjykatave kanë përgjegjësinë të garantojnë funksionimin normal të sistemit gjyqësor dhe të mbrojnë kushtet institucionale, administrative e financiare, pa të cilat drejtësia nuk mund të ushtrohet.

“Kryetarët e gjykatave kanë përgjegjësinë të garantojnë funksionimin normal të gjykatave dhe të mbrojnë kushtet institucionale, administrative e financiare, pa të cilat drejtësia nuk mund të ushtrohet normalisht.

Kur gjyqtarët dhe administrata gjyqësore vazhdojnë të kryejnë detyrën, ndërsa pagat nuk procedohen, reagimi institucional nuk është zgjedhje, por përgjegjësi. Për administratën gjyqësore situata është veçanërisht e pajustifikueshme. Punonjësit e saj nuk janë palë në debatin mbi formulën e pagës së magjistratëve.

Ata kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë detyrën, ndërsa paga për punën e kryer nuk u është dhënë. Paga për punën e kryer nuk është favor. Është detyrim. Shqetësimi i krijuar në radhët e administratës gjyqësore është real dhe nuk mund të nënvlerësohet. Reagimet e shfaqura gjatë ditës së sotme janë një tregues i tensionit që ka prodhuar mospagimi”, thuhet në njoftim.

Sipas qëndrimit të kryetarëve të gjykatave, mbledhja mbështet kërkesën e ligjshme të punonjësve për marrjen e pagave që u takojnë, por thekson se kjo nuk legjitimon forma reagimi që cenojnë vijimësinë e funksionimit të gjykatave.

“Shqetësimi duhet dëgjuar, funksionimi i drejtësisë duhet garantuar dhe pagat duhet të procedohen pa vonesë. Në lidhje me pohimet publike se gjyqtarët apo organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor i kanë rritur pagat vetes, Mbledhja thekson se këto pohime nuk pasqyrojnë thelbin juridik të çështjes. Gjyqësori nuk kërkon të caktojë vetë pagën e tij, por respektimin dhe zbatimin e vendimit përfundimtar nr. 15, datë 17.02.2026, të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka rikonfirmuar pagën që nga viti 2016.Vendimi është përfundimtar dhe i detyrueshëm. Vetë Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj publike të datës 7 shtator 2026, ritheksoi se arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin e saj zyrtar, duhet të lexohen dhe zbatohen në tërësinë e tyre, dhe se respektimi i tyre është kërkesë e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues. Vendimi nuk mund të lexohet në mënyrë të fragmentuar apo të zbatohet selektivisht”, shpjegohet më tej.

Kryetarët e gjykatave theksojnë më tej se “bllokimi i pagave të sistemit gjyqësor, i shoqëruar me qëndrime të kundërta për efektet e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, prek drejtpërdrejt pavarësinë e gjyqësorit, integritetin institucional të tij, funksionimin normal të gjykatave dhe autoritetin e rendit kushtetues”.

“Paprekshmëria e pagës së gjyqtarit nuk është privilegj ekonomik, por një prej garancive të pavarësisë së gjyqësorit dhe, përmes saj, e së drejtës së qytetarit për një drejtësi të pavarur.Në një shtet të së drejtës, asnjë institucion nuk mund të zgjedhë cilën pjesë të një vendimi kushtetues do të zbatojë dhe cilën do ta shtyjë.

Respektimi i Kushtetutës, i kufijve ndërmjet pushteteve dhe i vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese është detyrim dhe përgjegjësi e çdo institucioni shtetëror”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme