Rekord kokaine në Spanjë, sekuestrohen 1.2 ton drogë të fshehura në ngarkesën me arra kokosi në Sevilje

Botë | 1 muaj më parë

Një sasi e madhe kokaine është sekuestruar nga policia spanjolle në provincën e Seviljes, e fshehur në një ngarkesë me arra kokosi. Bëhet fjalë për 1 ton e 238 kilogramë kokainë, e kamufluar në pjesën e pasme të një rimorkioje dhe poshtë paletave me arra kokosi.

Në pranga kanë rënë dy persona, të dyshuar për trafik droge. Operacioni nisi në dhjetor, kur hetuesit vunë nën vëzhgim një kompani në Dos Hermanas, që dyshohej se përdorej për futjen e lëndëve narkotike në Spanjë. Pas hetimeve, policia identifikoi një kontejner të dyshimtë dhe ndoqi nga afër lëvizjet e tij.

Autoritetet ndërhynë në momentin kur shoferi po përgatitej të dorëzonte ngarkesën në një magazinë. Kontrollet në dy prona në provincën e Seviljes çuan edhe në sekuestrimin e parave dhe pajisjeve elektronike, që mund të shërbejnë si prova për hetimin. Policia spanjolle thotë se operacioni mbetet i hapur dhe nuk përjashton arrestime të tjera.

Spanja është një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës në Bashkimin Evropian, veçanërisht për drogën që vjen nga Amerika Latine. Vetëm në vitin 2024, autoritetet spanjolle sekuestruan 124 tonë kokainë, rreth 37 për qind të sasisë së kapur në të gjithë Bashkimin Evropian, ndërsa grupet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë dërgesa të vogla për t’iu shmangur kontrolleve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme