Pagat e magjistratëve, Balla: Kompetenca i takon vetëm Kuvendit, projektligji do të shqyrtohet dhe miratohet më 17 shtator

Politikë | 1 muaj më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se projektligji që synon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve do të shqyrtohet dhe miratohet në Kuvend më 17 shtator.

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla tha se dy deputete të Partisë Socialiste e kanë depozituar projektligjin përpara datës 31 korrik, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm dy deputetë të PS-së kanë dorëzuar një projektligj që adreson vendimin e Kushtetueses. Kështu po e ushtrojmë përgjegjësinë që na takon. Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji më 17 shtator”, tha Balla.

Ai theksoi se projektligji nuk do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, por do të trajtohet me prioritet.

“Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Është një projektligj që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar”, u shpreh ai.

Duke iu referuar debatit për kompetencat institucionale në përcaktimin e pagave, Balla tha se në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara, kompetenca për caktimin e pagave i takon Kuvendit.

“Në demokraci, secili ka këndvështrimin e vet. Jurisprudenca nuk është ekzakte. Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Kështu që, në këtë këndvështrim, prisni të flasë Kuvendi”, deklaroi Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se konsultimet për hartën e re territoriale vijojnë dhe se vendimmarrja do të bëhet pas përfundimit të afatit 60-ditor.

“Ka një afat për konsultimin, që duhet të përfundojë 60 ditë nga marrja e njoftimit. Në rastin në fjalë janë këshillat bashkiakë, ndërsa qytetarët pyeten përmes zgjedhjeve. Prania e vazhdueshme na ka bërë të dëgjojmë. Qytetarët kanë mandatuar Kuvendin për të marrë vendime dhe ka një shumicë në Kuvend. Do të presim afatin 60-ditor. Komisioni ka bërë një punë të shkëlqyer, ka qenë një proces model. Shpresoj që një ndër sfidat, përveç detyrës për ta përmbyllur këtë hap, sepse, siç bëmë në vitin 2014, kjo është një reformë më e vogël. Në thelb, qëllimi ka qenë përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarit”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.

Po ashtu, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se reforma territoriale dhe ajo zgjedhore do të jenë dy nga prioritetet kryesore të mazhorancës në sesionin e ri parlamentar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme