Guida që rrëfen Shqipërinë, Mihali: Vendi nuk mund të promovohet vetëm për fitim
Prej katër vitesh, Irma Mihali nga Tirana ushtron profesionin e guidës turistike, duke e kthyer njohjen e vendit dhe komunikimin në gjuhën frënge në një mënyrë për t’ua rrëfyer Shqipërinë turistëve të huaj. Për të, guida nuk është thjesht shoqërimi i vizitorëve nëpër destinacione, por një mundësi për t’u treguar atyre historinë, kulturën dhe vlerat e vendit.
“Kam më shumë se katër vjet që merrem me turistë, kryesisht francezë, belgë dhe kanadezë. Ata mbeten shumë të kënaqur. Për ta, Shqipëria është një mrekulli, sepse e dashurojnë vendin tonë. Ju e keni parë që ka shumë turistë, sidomos francezë, që vijnë për të zbuluar Shqipërinë dhe largohen shumë të kënaqur nga mikpritja që ne ofrojmë”, tha Mihali.
Por krahas rritjes së interesit për Shqipërinë, sipas saj, një problem mbetet prania e guidave të huaja të palicencuara, të cilat shoqërojnë turistët dhe japin informacione që jo gjithmonë përputhen me historinë dhe faktet e vendit. Një problem që, për Irmën, nuk lidhet vetëm me ushtrimin e një profesioni pa licencë, por edhe me mënyrën se si Shqipëria prezantohet përballë vizitorëve të huaj.
“Ne jemi shumë guida në Shqipëri që e bëjmë këtë punë në mënyrë perfekte. Kërkojmë që guidat që vijnë në Shqipëri të kenë të paktën një guidë lokale. Në Sheshin Skënderbej shohim pafund guida turke që flasin dhe, në disa raste, tjetërsojnë historinë tonë”, tha ajo.
Sepse promovimi i Shqipërisë, thotë ajo, kërkon më shumë se interesin ekonomik. “Një guidë duhet ta njohë dhe ta përcjellë vendin me pasion, përgjegjësi dhe mbi të gjitha me dashuri”, tha ajo.
Çdo turist që largohet nga Shqipëria merr me vete edhe një përshtypje për vendin, ndaj rrëfimi që i bëhet historisë dhe kulturës shqiptare është po aq i rëndësishëm sa vetë destinacioni.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




