Forumi i dytë i inovacionit, Ibrahimaj: Vetëm 9% e bizneseve shqiptare përdorin AI, duhet një ekosistem i ri ekonomik
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se Shqipëria duhet të përshpejtojë përfshirjen e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në ekonomi, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe ngushtimin e hendekut me Bashkimin Europian. Në fjalën e saj në Forumin e Dytë të Inovacionit, Ibrahimaj u ndal te zhvillimi i sektorit të teknologjisë së informacionit, duke theksuar rëndësinë e kapitalit njerëzor, aftësive profesionale, infrastrukturës, aksesit në tregje dhe ndërkombëtarizimit të produkteve shqiptare të teknologjisë. Ministrja tha se situata ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, pasi inteligjenca artificiale tashmë po prek pothuajse çdo komponent të ekonomisë dhe mënyrën se si ofrohen shërbimet.
“Rreth kapitalit njerëzor, aftësive të kërkuara për këtë sektor, që është një sektor që horizontalisht prek gjithë zhvillimin ekonomik. Diskutuam për infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e këtij sektori, diskutuam gjithashtu për aksesin në tregje dhe për ndërkombëtarizimin e produkteve të teknologjisë së informacionit shqiptare”, deklaroi Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, gjatë një viti të fundit situata ka ndryshuar ndjeshëm, pasi inteligjenca artificiale tashmë ka prekur pothuajse çdo aspekt të jetës dhe ekonomisë, duke ndryshuar mënyrën se si ofrohen shërbimet dhe duke krijuar kërkesa të reja për aftësitë profesionale. “Sot, një vit pas, jemi në një tjetër moment. Jemi të ndërgjegjshëm që AI ka prekur çdo komponent të jetës, po ndryshon mënyrën si ofrohen shërbimet, aftësitë e kërkuara për t’iu përgjigjur kësaj sfide dhe duhet të ndryshojë gjithë ekonominë shqiptare”, u shpreh ajo.
Ministrja vuri në dukje peshën që kanë bizneset e vogla dhe të mesme në ekonominë shqiptare, duke theksuar se ato përbëjnë pjesën dërrmuese të ndërmarrjeve në vend. Megjithatë, sipas saj, pavarësisht rolit të rëndësishëm që kanë këto biznese, niveli i përshtatjes së tyre me teknologjinë e informacionit dhe inteligjencën artificiale mbetet i ulët. “Sot 99.8% të ndërmarrjeve i kemi biznese të mesme dhe të vogla, ato përbëjnë rreth 80% të punësimit dhe 78% të vlerës së shtuar në ekonomi. E megjithatë niveli i adaptimit të bizneseve të mesme e të vogla të teknologjisë së informacionit dhe AI është shumë i ulët. Kemi një paradoks të madh, sepse kemi një popullatë që ka akses në shërbimet digjitale. E gjithë popullata di të përdorë mjetet elektronike, por bizneset mbeten me nivele shumë të ulëta të adaptimit”, deklaroi ministrja.
Një prej shqetësimeve kryesore të ngritura nga Ibrahimaj lidhet me përdorimin e IA nga bizneset shqiptare. Sipas saj, vetëm një pjesë e vogël e ndërmarrjeve e kanë përqafuar këtë teknologji. Ajo theksoi se edhe përdorimi i faqeve të internetit për shitje mbetet ende i kufizuar, pavarësisht potencialit që ofron tregtia online.
“Vetëm 9% e ndërmarrjeve shqiptare mund të përdorin AI apo janë duke e përdorur AI. Ndërkohë, ne vijojmë të jemi një vend i cili ka nivelin e produktivitetit të ulët, gati 1/3 e mesatares së BE-së. 40% e bizneseve që kanë faqe interneti e përdorin atë për shitje, ndërkohë që potenciali është shumë më i lartë. Rreth kapitalit njerëzor, aftësive të kërkuara për këtë sektor, që është një sector që hoorizontalisht prek gjithë zhvillimin ekonomik”, theksoi Ibrahimaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




