Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ministri Sveçla dënohet me 1 vit burgim me kusht

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar me 1 vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018. Vendimi është shpallur sot nga gjykatësi Sabit Sadikaj, ndërsa periudha verifikuese është caktuar në një vit. Prokurori Valdrin Krasniqi kishte kërkuar më herët që Sveçla të dënohej me dy vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë. Në seancën e shpalljes së vendimit, avokati i Sveçlës, Laur Prenaj, deklaroi se mbrojtja nuk do të bëjë deklarim, duke theksuar se klienti i tij nuk ka pranuar fajësinë.
Sveçla nuk ka qenë i pranishëm në Gjykatë gjatë shpalljes së aktgjykimit. Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur Sveçlën fajtor më 2 shtator për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas gjetjeve të gjykatës, Sveçla kishte aktivizuar dhe hedhur një bombolë me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e seancës. Ndërkohë, në aktakuzë Sveçla ishte ngarkuar edhe me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”. Për këtë pikë, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues, pasi ka konstatuar se ndjekja penale kishte arritur parashkrimin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




