Pagat e magjistratëve, mblidhet Prokuroria e Përgjithshme: Nevojitet zgjidhje e shpejtë, do ta trajtojmë përmes instrumenteve ligjore

Aktualitet | 1 muaj më parë

Situata e krijuar me pagesat e magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Përgjithshme. Ditën e sotme (8 shtator), Prokurori i Përgjithshëm thirri një mbledhje me drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve.

Në fokus të takimit ishte bllokimi i ekzekutimit të pagesave për pagat e muajit gusht 2026 të magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë.

Përmes një njoftimi të shpërndarë në media, Prokuroria thekson se pjesëmarrësit në mbledhje vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe të qartë, në përputhje me ligjin dhe me standardin kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, garantimi i pagesave lidhet drejtpërdrejt me vijimësinë normale të punës së institucioneve të drejtësisë dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.

Në përfundim të mbledhjes u dakordësua që çështja të vijojë të trajtohet përmes instrumenteve ligjore.

“Sot, më datë 8 shtator 2026, në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një mbledhje e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e drejtuesve të prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të ekzekutimit të pagesave për pagat e muajit gusht 2026 të magjistratëve dhe administratës.

Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.

Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.

Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme