Aksion për lirimin e hapësirave në Vlorë- Faza e parë përfshin njësitë e shërbimit, më pas do të vijojë me objektet e banimit
Ka nisur në Vlorë zbatimi i projektit për lirimin e hapësirave publike. Në fazën e parë të ndërhyrjes, në lagjen “Lef Sallata”, pranë Tregut të Orizit, janë evidentuar 25 objekte që parashikohet të shemben. Bëhet fjalë kryesisht për njësi shërbimi dhe garazhe, ndërsa në një fazë të dytë ndërhyrja pritet të prekë edhe objekte banimi.
“Problemi kryesor dhe fokusi kryesor i këtij projekti ka qenë rehabilitimi i të gjithë tarracave që, për shkak të bojlerëve të hershëm dhe shumë problematikë, kanë shkaktuar dëmtime të të gjithë strukturës së tarracave të pallatit dhe kanë shkaktuar edhe rrezikshmëri të kateve të fundit të pallatit. Pjesa e dytë është lirimi i hapësirave publike, ashtu siç ju shikoni nga shtati”, tha Brunilda Mersini, kryetare e Bashkisë Vlorë.
Sipas Bashkisë së Vlorës, në listën e ndërtimeve që do të shemben janë shtesa të ndërtuara gjatë viteve të fundit, por edhe objekte mbi 30-vjeçare, të cilat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit.
Shqetësimi kryesor për familjet që preken nga projekti mbetet strehimi. Banorët thonë se kanë komunikuar me bashkinë dhe u është bërë e ditur se mund të përfitojnë bonus qiraje. Megjithatë, kërkesa e tyre është që familjet të përfshihen në listën e përfituesve të banesave sociale me kosto të ulët.
Ndërkohë, Bashkia e Vlorës ka tenderuar tashmë dy projekte rehabilitimi për lagjet e qytetit. Ndërhyrjet parashikojnë përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore, sistemimin dhe rikonstruksionin e fasadave të pallateve ekzistuese, si dhe largimin e depozitave të ujit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




