E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Investimet strategjike ose “bathorizimi” i Rivierës Shqiptare
Lajme

Investimet strategjike ose “bathorizimi” i Rivierës Shqiptare

2,1 milionë metra katrorë tokë shtetërore për resorte

Plot 2,1 milionë metra katrorë tokë shtetërore janë vënë në dispozicion të resorteve dhe projekteve me statusin e “investitorit strategjik” gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Bëhet fjalë për rreth 210 hektarë, një sipërfaqe e barabartë me afro 294 fusha futbolli. Pjesa më e lakmuar ndodhet në zonat turistike dhe përgjatë Rivierës Shqiptare, aty ku çdo metër katror tokë ka sot një vlerë të jashtëzakonshme.

Në vitin 2022 raportohej se investitorëve strategjikë u ishin vënë në dispozicion rreth 1,3 milionë metra katrorë tokë vetëm në bregdet. Me miratimin e projekteve të reja dhe shtimin e sipërfaqeve shtetërore të përdorura për resorte, bilanci ka vijuar të zgjerohet. Euronews Albania – 1,3 milionë metra katrorë tokë në bregdet⁠

Në letër, statusi i investitorit strategjik u krijua për të tërhequr kapital, për të hapur vende pune dhe për të zhvilluar ekonominë. Në praktikë, ky mekanizëm ka prodhuar një model ku shteti vendos tokën, administrata përshpejton procedurat, infrastruktura publike shkon deri te porta e resortit, ndërsa përfitimi mbetet privat.

Qytetarëve u kërkohet të provojnë për vite pronësinë mbi tokën e trashëguar. Investitorëve të përzgjedhur u vendosen në dispozicion qindra mijëra metra katrorë me vendime qeveritare.

Qytetari sorollatet në Kadastër për një certifikatë pronësie. Investitori hyn në mbledhjen e Komitetit të Investimeve Strategjike dhe del me tokë, status të posaçëm dhe mbështetjen e administratës.

Ky është thelbi i pabarazisë.

Nga Dhërmiu në Palasë, nga Vlora në Sarandë, bregdeti po mbushet me vila, apartamente, hotele dhe komplekse turistike. Kodrat betonizohen, plazhet rrethohen dhe hyrjet tradicionale drejt detit zhduken pas trarëve dhe rojeve private.

Projekti paraqitet si hotel, por krahas hotelit ndërtohen qindra vila dhe apartamente për shitje. Toka publike vihet në shërbim të një aktiviteti që, në një pjesë të konsiderueshme, funksionon si zhvillim imobiliar.

Kështu lindi “bathorizimi” i Rivierës Shqiptare: modeli ku turizmi përdoret si justifikim, prona publike si kapital fillestar dhe statusi strategjik si korridor administrativ.

Një investim nuk bëhet strategjik vetëm sepse kështu e shpall qeveria. Ai duhet të provohet përmes interesit publik: sa vende pune të përhershme krijon, sa të ardhura i sjell shtetit, sa tokë publike merr, çfarë detyrimesh ka investitori dhe sa prej projektit përbëhet nga hoteleria, përballë vilave dhe apartamenteve që shiten privatisht.

Për çdo projekt duhet të publikohet inventari i plotë:

* sipërfaqja e tokës shtetërore të dhënë;
* baza ligjore dhe forma e përdorimit;
* vlera reale e pronës;
* identiteti i pronarëve përfitues;
* burimi i financimit;
* numri i vilave dhe apartamenteve për shitje;
* detyrimet e investitorit ndaj shtetit;
* përfitimi konkret i komunitetit;
* respektimi i vijës bregdetare dhe aksesit publik në det.

Pa këtë transparencë, shifra prej 2,1 milionë metrash katrorë nuk përfaqëson thjesht një statistikë. Ajo tregon përmasën e një transferimi historik të pasurisë publike drejt interesave private.

Riviera Shqiptare nuk është pronë e Edi Ramës, e ministrave apo e Komitetit të Investimeve Strategjike. Qeveria është administruese e përkohshme, jo pronare e Shqipërisë.

Nëse toka publike jepet pa konkurrencë reale, nëse përfituesit përzgjidhen pranë pushtetit dhe nëse qytetarëve u kufizohet hyrja në det, atëherë nuk kemi zhvillim strategjik.

Kemi privatizimin e bregdetit dhe “bathorizimin” e Rivierës Shqiptare, këtë herë të paketuar me fasada luksoze dhe me firmën e kryeministrit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.