Alarm për sigurinë e gazetarit Julian Hoxhaj
Emri i tij përmendet në audiopërgjimin e publikuar nga Arben Ahmetaj
Gazetari Julian Hoxhaj ka reaguar pasi emri i tij dhe emisioni “Plug”, pjesë e të cilit është në Syri TV, janë përmendur në një audiopërgjim të transmetuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Çim Peka Live”.
Në materialin audio, të publikuar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, pretendohet se dëgjohet një bisedë mes biznesmenit izraelito-shqiptar Ron Yeffet dhe dy biznesmenëve ukrainas.
Hoxhaj thotë se emri i tij është përmendur pas denoncimeve të emisionit “Plug” lidhur me aktivitetin e Yeffet në Shqipëri, përfshirjen e tij të pretenduar në asetet e industrisë ushtarake, tregtinë e armëve dhe raportet me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.
Hoxhaj: Emri im u përmend pas denoncimeve
Sipas gazetarit, në janar 2026 emisioni “Plug” trajtoi mënyrën se si qeveria shqiptare dyshohet se i kishte krijuar hapësira Ron Yeffet në sektorin e industrisë ushtarake dhe të tregtisë së armëve.
Në reagimin e tij, Hoxhaj shkruan:
“Unë dhe emisioni ‘Plug’ përmendeshim në tryezat e errëta të trafikut të armëve fill pas denoncimit për pasurimin e tij me paratë e shqiptarëve, në janar 2026. Ishte emisioni ku u denoncua për herë të parë ajo që po ndodh sot.”
Ai pretendon se në emision u ngritën pikëpyetje për aksesin e Yeffet në asetet e ushtrisë shqiptare, veprimtarinë në tregtinë e armëve dhe lidhjet e tij me Charles McGonigal.
Gazetari përmend gjithashtu një shumë prej 3 milionë eurosh, e cila, sipas tij, do të përdorej për nisjen e operacionit. Këto pretendime kërkojnë verifikim nga organet kompetente dhe qëndrim zyrtar nga personat e përmendur.
“Ndihem nën presion dhe kërcënim”
Hoxhaj e konsideron përmendjen e emrit të tij në këtë bisedë si presion të drejtpërdrejtë për shkak të punës gazetareske.
“Çdo gazetar e ka të qartë se, kur emri i tij lakohet si bezdisës në diskutime për ‘gjëra të këqija’, nuk mund të ndihet i sigurt, por nën presion dhe kërcënim nga rrjetet më të errëta që njeh bota, ato të trafikut të armëve.”
Pavarësisht situatës, ai deklaron se do të vazhdojë punën dhe denoncimet në interes të publikut.
“Do të vazhdoj ta bëj detyrën time me të njëjtën përgjegjshmëri dhe vendosmëri, si gazetar dhe si pjesë e ekipit të emisionit ‘Plug’ në Syri TV.”
Apel urgjent Prokurorisë dhe Policisë
Përmendja e një gazetari në biseda që pretendohet se zhvillohen mes personash të lidhur me interesa ndërkombëtare në tregtinë e armëve nuk mund të trajtohet me heshtje apo indiferencë.
Prokuroria, Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese duhet të administrojnë menjëherë materialin audio, të verifikojnë autenticitetin dhe kontekstin e tij, të marrin në pyetje personat e përmendur dhe të vlerësojnë konkretisht nivelin e rrezikut ndaj gazetarit.
Është urgjente marrja e masave për garantimin e sigurisë fizike të Julian Hoxhajt, si dhe mbrojtja e së drejtës së tij për të ushtruar profesionin pa kërcënime, presion apo shantazh.
Heshtja e shoqatave të gazetarëve dhe organizatave mediatike përballë këtij rasti është gjithashtu shqetësuese. Siguria e një gazetari të kërcënuar për shkak të detyrës nuk është çështje personale. Është çështje e lirisë së medias dhe e funksionimit të shtetit ligjor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





