INVESTIGIM/ “Koncepti KAYO” hyn edhe në Ministrinë e Brendshme
Fatura para urdhrit, kontrata pas saj dhe 9.6 milionë euro parapagim për “TIMAK Defence”
Nga verifikimi i të dhënave të Thesarit rezulton se “TIMAK Defence”, kompania me pronësi të përzier shtetërore dhe private, ka përfituar të paktën pesë pagesa nga buxheti i shtetit me vlerë të përgjithshme 2.579 miliardë lekë.
Këtyre pagesave u shtohen dy transferta të raportuara gjatë gushtit 2026: një pagesë prej 331.1 milionë lekësh nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe parapagimi i plotë prej 9.6 milionë eurosh nga Ministria e Brendshme për automjetet e IKMT-së.
Kronologjia e dokumenteve për kontratën e Ministrisë së Brendshme ngre dyshime serioze: fatura rezulton e lëshuar përpara urdhrit të blerjes, ndërsa e gjithë vlera e kontratës është paguar paraprakisht, kur automjetet pretendohet se ende nuk ishin dorëzuar.
Pesë transfertat e konfirmuara nga Thesari
Regjistri i “Open Spending Albania”, i cili buron nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, liston pesë transferta në favor të “TIMAK Defence”, me vlerë të përgjithshme 2,579,849,272 lekë.
Data e ekzekutimit
Institucioni pagues
Vlera
Objekti i deklaruar
29 tetor 2025
Reparti Ushtarak nr. 3001
608,190,000 lekë
Ndërtimi i sistemit antidron C-UAS
4 nëntor 2025
Reparti Ushtarak nr. 4300
440,000,000 lekë
Blerje automjetesh taktike të lehta
27 prill 2026
Reparti Ushtarak nr. 3001
506,825,000 lekë
Sistemi antidron C-UAS
26 maj 2026
Qendra e Furnizimit Materialo-Teknik
11,184,272 lekë
Blerje automjetesh speciale
25 qershor 2026
Reparti Ushtarak nr. 3001
1,013,650,000 lekë
Mjete dhe pajisje teknike
Gjithsej
2,579,849,272 lekë
Këto nuk janë pretendime politike, por pagesa të regjistruara në bazën publike të transaksioneve të Thesarit. Open Spending Albania
Pagesa më e madhe, mbi 1 miliard lekë, është ekzekutuar më 25 qershor 2026, vetëm një ditë pasi ishte regjistruar. Përshkrimi i saj përmend kontratën nr. 1980/1, datë 13 tetor 2025, dhe faturën nr. 79/2026, datë 23 qershor 2026.
Edhe 331.1 milionë lekë më 11 gusht
Një tjetër transfertë, ende e papasqyruar në listën me pesë pagesat e mësipërme, është raportuar më 11 gusht 2026.
Sipas përshkrimit të publikuar, Thesari i Shtetit ka kaluar 331.1 milionë lekë në favor të “TIMAK Defence” për blerjen e mjeteve teknike të transportit për Repartin Ushtarak 4001, strukturë e Komandës Mbështetëse.
Kjo pagesë do ta çonte shumën e transfertave të raportuara në lekë në rreth 2.91 miliardë lekë, pa përfshirë kontratën e Ministrisë së Brendshme. Kapitali
Dosja e IKMT-së: fatura del përpara urdhrit dhe kontratës
Rasti që kërkon hetim të posaçëm lidhet me blerjen e automjeteve për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Kronologjia e dokumenteve të publikuara paraqitet kështu:
* 8 korrik 2026: Drejtoria e Financës e Ministrisë së Brendshme firmos faturën nr. 83/2026.
* 22 korrik 2026: ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, firmos urdhrin nr. 3419/6 për blerjen e automjeteve.
* 31 korrik 2026: kryeministri Edi Rama merr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të 40 automjeteve taktike të “TIMAK Defence” për Forcat e Armatosura.
* 6 gusht 2026: Ministria e Brendshme nënshkruan kontratën nr. 3419/8 me “TIMAK Defence”, me vlerë 9.6 milionë euro.
* 17 gusht 2026: dërgohet në Thesar urdhërpagesa për parapagimin e plotë të kontratës.
* 18 gusht 2026: raportohet ekzekutimi i pagesës prej 9.6 milionë eurosh në favor të kompanisë.
Përshkrimi i urdhërpagesës është: “Parapagim i plotë i vlerës sipas Kontratës nr. 3419/8, me objekt blerje makinash për IKMT.”
Problemi i parë është kronologjik: fatura nr. 83/2026 mban datën 8 korrik, ndërsa urdhri për blerjen mban datën 22 korrik dhe kontrata është nënshkruar më 6 gusht.
Pra, sipas dokumenteve të publikuara, fatura ekzistonte:
* 14 ditë përpara urdhrit të ministrit;
* 29 ditë përpara nënshkrimit të kontratës;
* 41 ditë përpara ekzekutimit të pagesës.
Ministria e Brendshme duhet të shpjegojë se çfarë përfaqëson konkretisht dokumenti nr. 83/2026, kush e ka lëshuar dhe mbi cilën bazë kontraktore është administruar përpara nxjerrjes së urdhrit dhe lidhjes së kontratës.
Parapagim 100%, pa automjetet në dorë
Problemi i dytë është financiar. Ministria e Brendshme nuk ka paguar një këst fillestar, një garanci prodhimi apo një përqindje të kontratës. Sipas përshkrimit të publikuar, ajo ka urdhëruar parapagimin e plotë të vlerës prej 9.6 milionë eurosh.
Nëse automjetet nuk ishin dorëzuar dhe marrë në dorëzim në momentin e pagesës, atëherë shteti ka marrë përsipër pothuajse të gjithë rrezikun financiar të kontratës.
Duhet bërë publik menjëherë:
1. Numri dhe tipi i automjeteve të porositura.
2. Çmimi për njësi dhe pajisjet e përfshira.
3. Afati kontraktor i prodhimit dhe dorëzimit.
4. Procesverbali i marrjes në dorëzim, nëse ekziston.
5. Garancia bankare që mbulon parapagimin.
6. Kushtet për kthimin e parave në rast mosdorëzimi.
7. Arsyeja përse u zgjodh parapagimi 100%.
8. Procedura ligjore mbi të cilën u përzgjodh “TIMAK Defence”.
Pa këto dokumente, pagesa e plotë për mallra që pretendohet se ende janë rrugës mbetet një financim i kompanisë me paratë e taksapaguesve, jo një marrëdhënie normale ku pagesa lidhet me dorëzimin dhe verifikimin e mallit.
Shteti blen nga kompania private me parapagim
“TIMAK Defence” ka një strukturë që e bën këtë transaksion edhe më të ndjeshëm.
Sipas të dhënave të regjistrit tregtar:
* “TIMAK” zotëron 80% të “TIMAK Defence”;
* kompania shtetërore “KAYO” zotëron 20%;
* “KAYO” është 100% në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes;
* Arjeta Puca është pronare përfituese indirekte e 40.8% të “TIMAK Defence”;
* Ron Yeffet është pronar përfitues indirekt i 39.2%.
Ron Yeffet zotëron personalisht 80% të kompanisë. Pjesa prej 80% zotërohet nga shoqëria “TIMAK”, brenda së cilës Arjeta Puca ka 51% dhe Yeffet 49%. Regjistri i biznesit.
Kjo strukturë do të thotë se një ministri po blen mallra nga një kompani private, ku një tjetër ministri, përmes “KAYO”-s, është aksionere. Ky fakt përbën shkelje skandaloze dhe kërkon transparencë të plotë për konfliktet e mundshme të interesit, përcaktimin e çmimeve dhe mënyrën e përzgjedhjes.
Nga Ushtria te IKMT-ja
Më 31 korrik 2026, qeveria zhvilloi ceremoninë e dorëzimit të 40 automjeteve taktike për Forcat e Armatosura. Kryeministria deklaroi zyrtarisht se automjetet ishin prodhuar në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s nga “TIMAK Defence”. Kryeministria
Por kontrata prej 9.6 milionë eurosh e lidhur gjashtë ditë më vonë nuk ka si përfitues ushtrinë. Ajo lidhet me automjete për IKMT-në, institucion i varur nga Ministria e Brendshme.
Ministria duhet të bëjë të qartë nëse bëhet fjalë për automjete taktike, mjete inspektimi, automjete të blinduara apo mjete të tjera speciale. Pa specifikimet teknike dhe çmimet për njësi, nuk mund të vlerësohet nëse 9.6 milionë eurot përfaqësojnë një çmim të arsyeshëm.
Rreth 40 milionë euro pagesa të raportuara
Duke bashkuar:
* pesë transfertat e publikuara nga “Open Spending Albania”, me vlerë 2.579 miliardë lekë;
* pagesën e raportuar prej 331.1 milionë lekësh më 11 gusht;
* parapagimin e raportuar prej 9.6 milionë eurosh më 18 gusht;
shuma e parave publike të transferuara ose të raportuara në favor të “TIMAK Defence” afrohet me 40 milionë euro.
Megjithatë, regjistri publik i konsultuar nga Publik.al paraqet ende vetëm pesë transaksionet me vlerë 2.579 miliardë lekë. Dy pagesat e gushtit duhet të konfirmohen përfundimisht përmes dokumenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe ekstrakteve të urdhërpagesave.
Pyetjet që duhet t’u dërgohen institucioneve
Publik.al i kërkon Ministrisë së Brendshme të bëjë publike kontratën nr. 3419/8 dhe t’u përgjigjet këtyre pyetjeve:
* Përse fatura nr. 83/2026 mban datë më të hershme se urdhri i blerjes dhe kontrata?
* A është paguar plotësisht kontrata më 18 gusht 2026?
* Sa automjete janë blerë dhe cili është çmimi për secilin?
* A ishin dorëzuar automjetet në momentin e pagesës?
* Cili dokument autorizoi parapagimin 100%?
* Çfarë garancie bankare ka paraqitur kompania?
* Me çfarë procedure është përzgjedhur “TIMAK Defence”?
* A është kërkuar mendim nga Drejtoria e Auditimit dhe strukturat kundër konfliktit të interesit?
Ministria e Mbrojtjes dhe “KAYO” duhet të sqarojnë nëse kanë marrë pjesë në negocimin e kontratës, si është përcaktuar çmimi dhe çfarë përfitimi merr shteti si ortak me 20%.
Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të auditojë ligjshmërinë e parapagimit, ndërsa Prokuroria duhet të verifikojë nëse dokumentet janë krijuar dhe administruar në rendin që pasqyrojnë datat e publikuara.
Nëse një faturë del përpara urdhrit dhe kontratës, e ndjekur nga parapagimi i plotë i 9.6 milionë eurove pa transparencë mbi dorëzimin e mjeteve, përbën indicie të mjaftueshme për auditim dhe hetim institucional dhe penal nga SPAK-u.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




