Ahmetaj: Pronari i inceneratorëve është Edi Rama
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta mbrëmjen e sotme në një intervistë ekskluzive për emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, ku ka folur gjerësisht për çështjen e inceneratorëve dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ahmetaj ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se ai është personi që qëndron pas inceneratorëve. Sipas ish-zëvendëskryeministrit, vendimet për inceneratorët nuk janë marrë prej tij dhe ai nuk ka pasur rol si autoritet kontraktor apo në proceset e tenderimit.
Në deklaratat e tij, Ahmetaj është ndalur veçanërisht te vendimi për inceneratorin e Elbasanit, duke argumentuar se emri i tij nuk figuron në dokumentet që lidhen me procedurat përkatëse.
“Do ta mbyll këtë histori me vendimet e inceneratorëve. Po ua them qytetarëve, edhe pse e kam thënë disa herë. Merrni vendimin e Elbasanit dhe shikojeni”, është shprehur Ahmetaj.
Ai ka theksuar se nuk ka qenë pjesë e strukturave që kanë zhvilluar apo vlerësuar tenderët.
“Unë s’kam qenë asnjëherë autoritet kontraktor, as vlerësues, as tenderues. S’kam bërë unë asnjë tender në jetë”, deklaroi ai.
Ahmetaj ka ngritur më tej pikëpyetje mbi bazën e akuzave ndaj tij nga SPAK dhe kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, duke kërkuar të bëhet e qartë se çfarë përfitimi apo veprimi konkret i atribuohet atij në lidhje me çështjen.
Sipas tij, vendimet e qeverisë për inceneratorët janë miratuar në mënyrë të veçantë dhe dokumentet, sipas tij, dëshmojnë se ai nuk ka qenë personi që ka firmosur procedurat përkatëse.
Ahmetaj: Inceneratorët i ka bërë “kreu i organizatës”
Gjatë intervistës, ish-zëvendëskryeministri ka përsëritur akuzën e tij se pas çështjes së inceneratorëve qëndron një strukturë më e gjerë dhe se përgjegjësia nuk duhet të përqendrohet tek ai.
Duke iu referuar vendimit për Elbasanin, Ahmetaj tha se “inceneratorët i ka bërë kreu i organizatës”, duke e lidhur këtë deklaratë me pretendimin se ai është përdorur si personi që duhej të mbante përgjegjësinë politike dhe penale për çështjen.
Ai ka folur edhe për hetimet që lidhen me familjarët e tij, duke kundërshtuar akuzat dhe duke pretenduar se transaksionet për pronat kanë qenë të dokumentuara përmes transfertave bankare.
Sipas Ahmetajt, edhe çështjet që lidhen me ish-bashkëshorten e tij dhe persona të tjerë janë interpretuar në kuadër të hetimit për pastrim parash, ndërsa ai ka kundërshtuar mënyrën se si janë trajtuar këto episode.
“Pse më akuzojnë për korrupsion?”
Një pjesë e rëndësishme e intervistës është përqendruar te pyetja e Ahmetajt mbi bazën e akuzave për korrupsion.
“Për çfarë më akuzon Altin Dumani mua për korrupsion? Ku? Çfarë i kam dhënë kujt? Çfarë i kam dhënë kujt?”, deklaroi ai gjatë intervistës.
Ahmetaj ka pretenduar se në dokumentet që lidhen me vendimin e Elbasanit nuk gjendet emri i tij dhe se, sipas tij, nuk ka pasur rol në procesin e tenderimit.
Përplasja për inceneratorin e Fierit
Gjatë bisedës me Çim Pekën, Ahmetaj është ndalur edhe te inceneratori i Fierit, duke kundërshtuar lidhjen e tij me procedurat përkatëse.
Ai i ka kërkuar gazetarit të shikojë dokumentet dhe firmat e vendimit përkatës, duke argumentuar se aty nuk figuron emri i tij dhe as ndonjë ministri e Ekonomisë.
“Unë nuk hyj te punët e Fierit, i dashur. Ky është për qarkun e Fierit. Ja firmat. Shihni ndonjë emër ju, Arben Ahmetaj, këtu? Shihni ndonjë Ministri Ekonomie? Jo”, u shpreh ai.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur çështja e inceneratorëve vijon të jetë një prej dosjeve më të debatuara në drejtësinë shqiptare, ndërsa përgjegjësitë për vendimmarrjen dhe administrimin e procedurave kanë qenë në qendër të hetimeve dhe përplasjeve politike.
Ahmetaj, nga ana e tij, pretendon se është përdorur si “kokë turku” dhe se përgjegjësia për inceneratorët duhet kërkuar në nivele të tjera të pushtetit.
“Sepse kreu i organizatës donte kokë turku. E dini, është fakt. Një fakt”, deklaroi ish-zëvendëskryeministri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



