Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar se të martën, më 20 tetor, në Gjykatën Komerciale do të mbahet seanca e parë përgatitore në çështjen e Komunës së Gjakovës për kompensimin e dëmit lidhur me detyrimet që burojnë nga kontrata kolektive.

Seanca është caktuar të mbahet në orën 10:00, pas më shumë se katër vitesh pritjeje.


Në njoftimin e AKK-së thuhet se komunave u janë marrë qindra miliona euro nga buxhetet e tyre për detyrime që burojnë nga zotimet e marra në nivel qendror.

Sipas Asociacionit, këto mjete do të duhej të përdoreshin për investime dhe për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

AKK-ja ka kërkuar që çështja të shqyrtohet drejt dhe pa zvarritje të mëtejshme.

“Pas më shumë se katër vitesh pritjeje, komunat meritojnë drejtësi dhe kompensim”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. /Telegrafi/