Vendosni fjalën kyçe....

Kur Kushtetutës i fiket mikrofoni…


Nga Dorian Matlija

Gerd Hoxhën kam pasur mundësi ta shoh në detyrën e gjyqtarit në pak raste. Por ndonjëherë mjafton edhe një çështje për të kuptuar mënyrën se si një njeri e ushtron funksionin e vet.

Ishte një gjykim ndaj disa protestuesve të dhjetorit 2020, të cilët kishin dalë në rrugë pas vrasjes së Klodian Rashës nga një punonjës policie. Protestuesve u ishte ngritur ajo akuza e zakonshme kur qytetari bëhet i bezdisshëm, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësve të policisë“.

Gerd Hoxha pati durimin ta kalonte çështjen në sitë. Për muaj me rradhë, për shumë seanca, ai pyeti me qetësi çdo polic dëshmitar, dëgjoi deri në fund çdo avokat, dëgjoi prokurorin dhe shqyrtoi çdo hollësi. Në fund, protestuesit u shpallën të pafajshëm. Jo sepse gjyqtari bëri ndonjë akt heroik, por sepse bëri pikërisht atë që duhet të bëjë një gjyqtar, duke mos përtuar të vlerësojë provat dhe duke mos marrë për të mirëqenë versionin e gatshëm të policisë që serviert në kësi rastesh.

Dhe kjo, në gjykatat tona, bëhet mes qindra çështjesh, ndonjëherë me afro një mijë vendime në vit për çdo gjyqtar, në zyra të papërshtatshme, pa këshilltarë, pa dieta, pa mbrojtje fizike dhe pa marrë ndonjë orë shtesë që askush nuk i numëron. Janë kalvare të gjata procesesh, të cilat nuk duken në televizor dhe nuk prodhojnë batuta për komisionet parlamentare.

Në dëgjesën e fundit në Kuvend, Gerd Hoxha erdhi si përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve dhe nuk kërkoi asnjë privilegj. Përkundrazi, pati fisnikërinë të thoshte se paga e tij nuk mund të jetë më e lartë se ajo e një gjyqtari të një gjykate më të lartë, edhe kur ky i fundit ka kushte më të mira pune dhe këshilltarë. Përmendi se njëri prej tyre kishte qenë profesori i tij dhe se merita, pozicioni dhe përgjegjësia duhen respektuar me çdo kusht.

Gerd Hoxha foli edhe si kryetar i Gjykatës së Tiranës, gjykatës më të madhe në vend, ku mbi 300 punonjës të administratës ende nuk kanë marrë pagat. Renditi argumentet dhe u kujtoi deputetëve detyrimin që u ka lënë Gjykata Kushtetuese, që u shpërfill nga Kuvendi si të ishte letër bakalli. Nuk foli për rrogën e vet, por për funksionimin e një pushteti të tërë.

Përballë kishte Ulsi Manjën, personazh i cili zotëron një avantazh të rëndësishëm demokratik, sepse mund të flasë, të polemizojë, të provokojë dhe të komentojë sa të dojë, ndërsa gjyqtari kufizohet nga detyra, etika dhe ndalimi për t’u përfshirë në debate politike. Është një farë dueli interesant, ku njëri hyn me mikrofon, regji dhe imunitet politik, ndërsa tjetri duhet të luftojë me duart e lidhura dhe, mundësisht, duke falënderuar për mikpritjen.

Gerd Hoxha kishte ardhur për respekt të Kuvendit, megjithëse ftesa i kishte mbërritur vetëm 15 minuta përpara (tregues i mjaftueshëm i diletantizmit institucional të Kuvendit). Ndoshta Hoxha mendoi se deputetëve u duhej dhënë edhe një mundësi për të kuptuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë sugjerime miqësore, por janë detyrime.

Në vend që të dëgjohej, iu tregua se si duhej të fliste. Kur kundërshtoi, iu fik mikrofoni. Pastaj Ulsi Manja i kujtoi solemnitetin e madh të çastit, me fjalët pompoze se “ky është Kuvendi i Shqipërisë dhe është sovrani.”

Me pak fjalë, mirë se erdhe si i ftuar, fol çfarë të duash, por vetëm atë që të them unë, dhe mos harro se përballë nuk ke një deputet, por vetë sovranin. Sovranin me butonin e mikrofonit në dorë.

Vetëm se as Ulsi Manja dhe as Gerd Hoxha nuk janë sovrani. Sovran është populli shqiptar. Ky popull ka një Kushtetutë përpara se të ketë Ulsiun kryetar komisioni dhe deputetët e radhës të ulur rreth tryezës.

Populli zgjedh njërin pushtet me votë. Pushteti tjetër nuk zgjidhet, sepse duhet të ndërtohet mbi meritokracinë, procedurën, profesionalizmin dhe taksativitetin e ligjit. Pikërisht që ai që fiton zgjedhjet të mos fitojë automatikisht edhe gjyqin, Kushtetutën dhe të drejtën për të caktuar kush flet e çfarë thotë.

Gerd Hoxha foli si njeriu që njeh ekuilibrin ndërmjet pushteteve. Ndërsa Ulsitë tanë, nuk kuptojnë rëndësinë e këtij ekulibri dhe e kuptojnë mandatin si privilegjin gravitacional, që kur bëhesh si ajo koqja metalike e kandarit, e hedh peshoren sa andej këndej, sipas qejfit. Kur kandari prishet, fajin sigurisht e ka pesha tjetër që nuk kalkuloi mirë se si lëviz koqja metalike nëpër kandar.

Dhe kështu, pushtetet mbeten të pabalancuar, por ama të ofrojnë spektakël. Mirëpo ky spektakli i rradhës është në dëm të një pushteti gjyqësor, që mirë se e shkatërruan me reformën eksperimentale në drejtësi, mirë se i masakruan gjyqtarët duke i bërë rezil në publik, dhe duke i shkarkuar edhe për 5 milion lekë të vjetra, por edhe këta që kaluan testin më të fortë të puritetit në këtë vend, përballen me mohimin e rrogës që e kanë fituar si të drejtë me vendimin e gjykatës më supreme në Shqipëri. Dhe këtu nuk kursehet as punonjësit e administratës, nga sekretaret deri te sanitaret.

Sot, e dimë që kemi mjerim në Kuvend, kemi mjerim edhe në qeverisje, por kemi edhe krizë në gjyqësor. Por krizën në gjyqësor nuk e krijuan gjyqtarët që përballojnë qindra procese në kushte mizerabël. E krijuan Ulsitë me në krye Ramën, të cilët tani përpiqen t’u hedhin hi syve shqiptarëve, sikur gjyqtarët duan të zhvasin buxhetin e shtetit.

Dhe kush e thotë këtë? Përfaqësuesit e një pushteti qeverisës, që vetëm dosjet e SPAK-ut po ia numërojnë me miliarda euro faturën e abuzimeve pikërisht mbi atë buxhet shteti. Përfaqësues të një pushteti që te ajo salla tjetër e Kuvendit, ajo e madhja, votojnë me të dyja duart për të paguar miliona për koncertin e një këngëtari që na raftë pika neve si popull që nuk ia blemë biletat.

Në fund të mbledhjes, dallimi ishte i thjeshtë. Gerd Hoxha kërkoi të dëgjohej Kushtetuta. Manja i fiku mikrofonin që të dëgjohej sovrani Ulsi.

Dhe, për çdo rast, mbante gishtin gati te mikrofoni, që të mos hutohemi helbete, sepse, siç për pak desh humbën kryeveprat e repertorit të Kanye West, ashtu mund të na ikë pa degjuar edhe monologu i sovranit Ulsi, apo më keq akoma, edhe podcasti i shefit të sovranit.