Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje pranë stacionit të Brukselit, arrestohen 10 persona, 9 prej tyre të mitur


Dhjetë persona, mes tyre nëntë të mitur, janë arrestuar të hënën, më 12 tetor, pas përplasjeve mes policisë dhe grupeve të të rinjve pranë stacionit hekurudhor Brussels-Midi, në Belgjikë. Sipas policisë, qindra të rinj u përfshinë në trazira, gjatë të cilave efektivët u sulmuan me gurë dhe fishekzjarrë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë grupet që lëviznin mes stacionit, sheshit Bara dhe lagjes Cureghem. Disa prej tyre u zhvendosën drejt zonave të Anderlecht dhe Saint-Gilles, përpara se të ktheheshin sërish. Stacioni i metrosë Clemenceau u mbyll përkohësisht, ndërsa një automjet, disa skuterë dhe pajisje të mobilierisë urbane u përfshinë nga flakët, përcjell Euronews.

Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi gjithashtu fishekzjarrë, lëndë të ndezshme dhe bombola aerosoli.

Përplasjet ndodhën në një kohë kur në Belgjikë po vijojnë protestat kundër masave shtrënguese ekonomike, rritjes së kostos së jetesës dhe shkurtimeve në arsim. Që prej 1 tetorit, nxënës të shkollave të mesme kanë protestuar kundër planit për të kursyer 500 milionë euro nga buxheti i arsimit frankofon deri në vitin 2029.

Edhe sindikatat kanë kundërshtuar programin e kursimeve prej 10 miliardë eurosh të propozuar nga kryeministri Bart De Wever.

Në qytetin e Liège, sipas raportimeve, janë kryer më shumë se 200 arrestime që nga nisja e protestave studentore. Ndërkohë, një protestë e veçantë kundër masave shtrënguese, e zhvilluar të premten në Bruksel, mblodhi rreth 30 mijë persona, sipas policisë, dhe u pasua gjithashtu nga përplasje.