Vendosni fjalën kyçe....

Fox News për protestat në Shqipëri: Rama refuzon dorëheqjen, synon të përfundojë negociatat me BE-në


Protestat kundër qeverisë socialiste në Shqipëri kanë hyrë në ditën e tretë, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë vijuar në Tiranë.

Në një artikull të publikuar më 15 tetor, Fox News shkruan se kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke deklaruar se qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes revolucionit.

Përplasjet e së enjtes u përqendruan sërish pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën gurë drejt kordonit policor. Forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të cituara nga mediat ndërkombëtare, gjatë protestave të së mërkurës u lënduan 89 persona, mes tyre 61 efektivë policie. (AP News)

Riot police officers detain a hooded protester during clashes in Tirana, Albania.

Në një deklaratë për Reuters, Rama tha se nuk do të largohet nga detyra për shkak të protestave, duke theksuar se përgjegjësia e tij është të dëgjojë qytetarët, të trajtojë shqetësimet legjitime dhe të vijojë rrugën drejt integrimit europian.

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve demokratike. Ne zhvilluam zgjedhjet vitin e kaluar, jo një revolucion”, deklaroi Rama, sipas Reuters.

Kryeministri shtoi se largimi i tij do të ishte një tradhti ndaj qytetarëve që i dhanë mandat për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ai u shpreh gjithashtu i gatshëm të diskutojë shqetësimet e studentëve për kostot e arsimit, por theksoi se sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës publike nuk lidhen me kërkesat legjitime të tyre.

Sipas Fox News, protesta bashkon grupe studentësh që kërkojnë reforma në arsimin e lartë me një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë, e njohur si “Lëvizja e Flamingove”.

Kjo e fundit kërkon dorëheqjen e Ramës, duke ngritur akuza për korrupsion dhe duke kundërshtuar gjithashtu një projekt të madh turistik në bregdetin jugor, të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump.

Studentët kanë ngritur shqetësime për kostot e arsimit të lartë, mungesën e mbështetjes financiare, kushtet në universitete dhe mundësitë e punësimit pas diplomimit.

Protesters set fire to a barricade during clashes near the Education Ministry in Tirana, Albania.

Ndërkohë, kundërshtarët e qeverisë e lidhin pakënaqësinë më të gjerë me akuzat për korrupsion, përdorimin e fondeve publike dhe favorizimin politik.

Ish-ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Agim Nesho, tha për Fox News Digital se protestat pasqyrojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë.

Ai pretendoi se korrupsioni, papunësia, varfëria dhe largimi i të rinjve nga vendi kanë shtuar zemërimin publik.

Ndërkohë, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe një reagim proporcional nga autoritetet, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunës.

Hooded protesters smash a storefront window during clashes in Tirana, Albania.

Rama, nga ana e tij, ka mbrojtur bilancin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që dhuna të pengojë integrimin europian të Shqipërisë. Qeveria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2028.