Vendosni fjalën kyçe....

Demo: E drejta për protestë është e garantuar, dhuna nuk mund të justifikohet



Ministri Ervin Demo ka reaguar lidhur me protestat e ditëve të fundit, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë.

Demo u shpreh se Policia e Shtetit nuk do të jetë nxitëse e përplasjeve me protestuesit, por do të ketë si detyrë garantimin e zhvillimit paqësor të protestës, rendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Sipas tij, ndërhyrja e policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar aktet e dhunës dhe për të mbrojtur jetën, qytetarët, punonjësit e policisë dhe pronën publike e private, duke respektuar parimin e proporcionalitetit.

“Protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj”, theksoi Demo.

Ministri deklaroi gjithashtu se qeveria mbetet e gatshme për dialog me protestuesit, për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë.

Në reagim, Demo nënvizoi se përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale dhe se çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit.

Në përfundim, ai theksoi se do të mbrohen njësoj e drejta për të protestuar, siguria e qytetarëve dhe zbatimi i ligjit.