
Presidenti Donald Trump ka pezulluar sanksionet dhe tarifat kryesore amerikane ndaj Rusisë, vetëm pak ditë përpara se ato të hynin në fuqi në bazë të një ligji që ai nënshkroi muajin e kaluar. Masat përfshinin tarifa doganore për mallrat ruse, si dhe penalitete për vendet që blejnë naftë dhe gaz nga Rusia.
Në një urdhër ekzekutiv të publikuar të premten nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se pezullimi i këtyre masave ishte në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Ligji synon të shtojë presionin ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, i cili nisi në vitin 2022. Megjithatë, Trump ka shfaqur një qëndrim gjithnjë e më të afërt me Moskën, ndërsa ka kritikuar publikisht presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, duke sugjeruar ndër të tjera se Kievi ka nevojë për një udhëheqës të ri, shkruan Reuters.
Sipas analistëve, masat e reja mund të rrezikonin rritjen e mëtejshme të çmimeve të naftës, vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, në të cilat republikanët e Trump po përpiqen të ruajnë shumicën e ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit. Kjo do të ndodhte në një kohë kur amerikanët po përballen me rritjen e kostove, të cilat i atribuohen kryesisht luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Legjislacioni, mbështetësi kryesor i të cilit në Kongres ishte senatori i ndjerë republikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, do të vendoste brenda 30 ditëve tarifa deri në 100% për të gjitha mallrat e importuara në SHBA nga pesë vendet më të mëdha që blejnë naftë bruto ose gaz rus. Tarifat do të zbatoheshin gjithashtu ndaj çdo vendi që blinte me vetëdije naftë ose gaz rus 30 ditë pas miratimit të ligjit, si dhe ndaj vendeve që renditeshin ndër pesë shtetet kryesore që ndihmonin Rusinë t’u shmangej sanksioneve.
Sipas urdhrit ekzekutiv, pezullimi do të mbetet në fuqi derisa Trump ose zyrtarët e tij të lartë të përcaktojnë se “nevojitet ndërmarrja e masave të mëtejshme”.
Trump nënshkroi në mesin e shtatorit ligjin e vitit 2026, të quajtur “Lindsey O. Graham Sanctioning Russia and Iran Act”.
“Kam paraqitur në Kongres një certifikim se miratimi i një pezullimi të tillë në këtë moment është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Trump në urdhrin ekzekutiv.
Vende si Kina dhe India, të cilat janë ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse, kanë shprehur shqetësime lidhur me projektligjin për sanksionet ndaj Rusisë.
Pekini ka deklaruar se “kundërshton vazhdimisht juridiksionin me shtrirje përtej kufijve, i cili nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare”, ndërsa India e ka paralajmëruar Uashingtonin se tarifat e reja mund të ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe.
Ligji i jep presidentit mundësinë të pezullojë sanksionet thjesht duke njoftuar Kongresin se ka arritur në përfundimin që ato nuk janë në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Përfaqësuesi demokrat Don Beyer, nga Virxhinia, e kritikoi ashpër Trump për pezullimin e masave, duke thënë se presidenti amerikan po i nënshtrohej presidentit rus Vladimir Putin.
“Dorëzimi i fundit i Trumpit përballë Putinit tradhton sërish partnerët tanë ukrainas dhe bie ndesh me vullnetin e qartë të Kongresit, të shprehur përmes legjislacionit të hartuar për të ndëshkuar Rusinë për luftën e saj të paligjshme të agresionit”, deklaroi Beyer.
Trump ishte përballur gjithashtu me kritika nga disa senatorë amerikanë, përfshirë edhe disa republikanë, lidhur me një marrëveshje të fundit për naftën dizel me Rusinë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Trump ra dakord të hiqte sanksionet ndaj eksporteve ruse, ndërsa Rusia pranoi të furnizonte tregjet globale me naftë dizel, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve.
Ligjvënësit që kritikuan marrëveshjen thanë se ajo do të ndihmonte në financimin e përpjekjeve luftarake të Rusisë.
Kirill Dmitriev, i dërguari i Putinit për investimet, e cilësoi pezullimin e sanksioneve nga Trump si “një moment vërtet historik”. Në një postim në rrjetin social X, ai shkroi se legjislacioni mund ta kishte çuar praktikisht në ndërprerjen e të gjithë bashkëpunimit ekonomik mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.