
Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një incidenti të ndodhur të hënën në një tren malor në parkun e argëtimit Six Flags Over Georgia, në Shtetet e Bashkuara, përcjell DW.
Ngjarja ndodhi në parkun që ndodhet rreth 24 kilometra në veriperëndim të Atlantës. Dëshmitarët u thanë mediave lokale se kishin parë një person të binte nga atraksioni.
“Kjo që kanë përjetuar sot vizitorët dhe punonjësit duhet të ketë qenë e tmerrshme. Zemra më dhemb për familjen që humbi një njeri të dashur”, deklaroi Lisa Cupid, kryetare e Bordit të Komisionerëve të Qarkut Cobb.
Pas incidentit, kompania Six Flags njoftoi mbylljen e përkohshme të nëntë trenave malorë në gjashtë parqe të ndryshme argëtimi, si masë paraprake për garantimin e sigurisë së vizitorëve.
Një zëdhënës i parkut bëri të ditur se mbyllja e atraksioneve të ngjashme u vendos “për shkak të kujdesit të shtuar”, pas ngjarjes në Georgia.
Parku nuk ka konfirmuar zyrtarisht se cili atraksion u përfshi në incident. Megjithatë, mediat lokale publikuan pamje të vizitorëve duke u evakuuar nga treni malor Goliath.
I ndërtuar në vitin 2006, Goliath arrin shpejtësi deri në 113 kilometra në orë dhe lartësi maksimale prej rreth 61 metrash. Sipas faqes zyrtare të parkut, atraksioni përfshin kthesa të forta dhe zbritje nga lartësi të mëdha.
Sipas studios ligjore Doan Law Firm, e specializuar në çështjet e aksidenteve në parqet e argëtimit, kjo është të paktën vdekja e shtatë e raportuar në parkun Six Flags Over Georgia.
Mes rasteve të mëparshme përmendet edhe një ngjarje e vitit 2006, kur një person pësoi një atak të mundshëm në zemër gjatë përdorimit të të njëjtit atraksion, Goliath.
Incidenti i fundit ndodh më pak se dy javë pasi Six Flags Magic Mountain, në Kaliforninë Jugore, njoftoi se do të nxirrte jashtë përdorimit trenin malor të njohur X2, pas padive ku pretendohet se atraksioni kishte shkaktuar dëmtime të rënda në tru.