Vendosni fjalën kyçe....

Ndërprerje e planifikuar e energjisë, probleme me furnizimin me ujë në Durrës më 20 tetor



Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës njofton se ditën e martë, më 20 tetor 2026, mund të ketë probleme me furnizimin me ujë në të gjithë zonën e saj të shërbimit, për shkak të një ndërprerjeje të planifikuar të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) do të stakojë dhe tokëzojë linjën 110 kV L110-36 Laç 1–Fushë Kuqe, nga ora 09:00 deri në orën 14:00.

Nga kjo linjë furnizohen me energji elektrike stacionet e pompave në Fushë Kuqe, Fushë Milot dhe Fushë Krujë, të cilat sigurojnë furnizimin me ujë për zonat përkatëse.

Për pasojë, probleme me furnizimin me ujë mund të ketë në qytetin e Durrësit, në zonat rurale dhe zonën turistike, si dhe në Maminas e Shijak.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës u kërkon qytetarëve mirëkuptim për këtë situatë të përkohshme.