Vendosni fjalën kyçe....

Trump shkarkon Sekretaren e Shtypit Katie Zacharia një javë pas emërimit


Vetëm një javë pasi njoftoi se kishte zgjedhur komentatoren konservatore të televizionit Katie Zacharia si sekretaren e ardhshme për shtypin në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump e ka shkarkuar atë. Vendimi erdhi pas një paraqitjeje shumë të dobët në konferencën e saj të parë për shtyp dhe disa ditësh pyetjesh nëse ajo kishte gënjyer për faktin nëse kishte licencë për të ushtruar profesionin e avokates.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi shkarkimin e Zacharia-s vetëm pak çaste pasi Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në një tubim në Xhorxhia, përpara se të kalonte fundjavën në rezidencën e tij Mar-a-Lago, në Florida.

Gjatë një seance pyetje-përgjigjesh me gazetarët, presidenti u ankua se zëdhënësja e tij pa përvojë ishte trajtuar “shumë, shumë keq dhe në mënyrë shumë të padrejtë” nga mediat, përfshirë edhe intervistën e ashpër që drejtuesi i Fox News, Sean Hannity, i kishte bërë një natë më parë. Trump tha se kishte diskutuar me të nëse dëshironte të vazhdonte punën nën një vëmendje kaq të madhe mediatike.

“I thashë Katie-s vetëm dy minuta më parë: ‘Katie, e di që nuk je e detyruar ta bësh këtë… Mediat kanë qenë kaq të ashpra me të. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Dhe i thashë sinqerisht: Në vendin tënd, do ta rishqyrtoja këtë vendim. Mendoje, por unë nuk do ta rishqyrtoja. Ajo ka një bashkëshort dhe një familje të mrekullueshme… Ndoshta kjo punë nuk është për të’”, u shpreh ai.

Mandati i shkurtër i Zacharia-s, vetëm pesë ditë nga fillimi i punës deri te shkarkimi, vendos një rekord të ri për qëndrimin më të shkurtër në detyrë të një sekretari për shtypin ose drejtori komunikimi në Shtëpinë e Bardhë. Ajo e përgjysmon rekordin e mëparshëm prej 11 ditësh, të vendosur gjatë mandatit të parë të Trump.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga Anthony Scaramucci, menaxher i një fondi investimesh, të cilin Trump e emëroi drejtor komunikimi në korrik të vitit 2017, por e shkarkoi vetëm 11 ditë më vonë. Vendimi erdhi pasi Scaramucci dha një intervistë për një gazetar të revistës The New Yorker, gjatë së cilës përdori gjuhë vulgare dhe sulmoi zyrtarë të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Mbiemri i Scaramucci-t është kthyer, me ironi, në një njësi matëse që nënkupton saktësisht 11 ditë. Ai reagoi në platformën X për të shënuar fundin e rekordit të tij famëkeq.

“Rekordet janë bërë për t’u thyer. Por nuk ndiej kënaqësi nga vuajtjet e të tjerëve”, shkroi ai.

Kur u pyet se çfarë dëshironte që Zacharia të bënte në të ardhmen, Trump u përgjigj: “Dua vetëm që ajo të jetë e lumtur”.

I pyetur më tej nëse dëshironte që ajo të vazhdonte në detyrën që kishte nisur të hënën, presidenti tha se do të fliste me të kur të kthehej në Uashington dhe theksoi se e pëlqente “shumë”.

“Dua që ajo të ketë një jetë të mirë. Nuk dua që ajo të përjetojë atë që ka përjetuar gjatë tri ditëve të fundit. Mediat po e trajtojnë në mënyrë brutale. Mendoj se kjo është shumë e padrejtë, por mediat kanë qenë brutale me të”, tha ai. “Kur të kthehem, do të flasim, sepse nuk mendoj se Katie duhet të vuajë në këtë mënyrë”.

Sugjerimi i presidentit se Zacharia nuk do të vazhdonte në detyrën e zëdhënëses kryesore erdhi pas një jave katastrofike për aktivisten konservatore. Ajo fillimisht kishte tërhequr vëmendjen e Trump përmes paraqitjeve të shpeshta në Fox News, Newsmax dhe rrjete të tjera televizive të së djathtës, shpesh duke u shfaqur në orare kur mendonte se presidenti do ta ndiqte.

Ajo e nisi zyrtarisht punën të hënën, tri ditë pasi Trump kishte njoftuar emërimin e saj në një postim në Truth Social. Të nesërmen, ajo mbajti papritur konferencën e saj të parë për shtyp dhe i la gazetarët të habitur, pasi qëndrimi i saj fillestar në sallën e konferencave të Shtëpisë së Bardhë zgjati vetëm 14 minuta.

Zëdhënësja e papërvojë kaloi tetë minuta duke lexuar me vështirësi një deklaratë të përgatitur paraprakisht. Më pas, iu përgjigj pyetjeve të lehta nga tri media me prirje konservatore dhe u largua me nxitim, pasi ngatërroi presidentin me bashkëshortin e saj dhe njoftoi gabimisht shkarkimin e ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

Në atë kohë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë deklaruan se presidenti vazhdonte të kishte besim tek ajo. Megjithatë, sikleti i shkaktuar nga konferenca e parë u la shpejt në hije nga pyetjet nëse ajo kishte gënjyer për të kaluarën dhe kualifikimet e saj ligjore.

Zacharia është diplomuar në fakultetin juridik të Universitetit Pepperdine dhe, në shumë paraqitje televizive përpara emërimit në Shtëpinë e Bardhë, e kishte përshkruar vazhdimisht veten si “juriste” ose “avokate”.

Por, ndërsa po përgatitej për konferencën e saj të parë të martën, Judd Legum, autor i platformës Popular Information, raportoi se ajo nuk kishte licencë për ushtrimin e profesionit të avokates në asnjë shtet të SHBA-së. Në disa shtete, paraqitja e vetes si “juriste” ose “avokate” në këto rrethana mund të përbëjë vepër penale.

Fillimisht, ajo u përpoq t’u shmangej pyetjeve duke pretenduar se nuk i ishte dashur licenca e avokatisë kur kishte nisur punën e saj të parë pas përfundimit të studimeve juridike, në një firmë në Kinë.

Më vonë, The Wall Street Journal raportoi se Zacharia kishte dështuar në provimin e jurisprudencës në Kaliforni, nuk e kishte dhënë më kurrë përsëri, por megjithatë kishte vazhduar të paraqitej si avokate në deri në 18 dalje televizive që nga muaji mars i vitit të kaluar.

Çështja nxiti pyetje të ashpra edhe nga drejtuesi i Fox News, Sean Hannity, i cili e intervistoi Zacharia-n në emisionin e tij një natë më parë.

“Ju e quajtët një ‘teori konspirative’ çështjen që lidhej me faktin nëse jeni avokate”, tha Hannity. “Ju keni studiuar në Pepperdine. Pepperdine është një universitet i mirë, pa dyshim. E dhatë provimin e jurisprudencës, por nuk e kaluat. E saktë?”

Më pas, drejtuesi i Fox News e pyeti nëse ajo e kishte dhënë provimin për herë të dytë, por Zacharia nisi të fliste gjatë për martesën dhe zhvendosjen e saj në Kinë.

“Mirë, por dua t’ju pyes konkretisht. E di atë pjesë të historisë dhe e di që i keni bërë të gjitha këto. Por, a e keni dhënë ndonjëherë provimin për herë të dytë ose të tretë?”, e pyeti Hannity.

“Jo, nuk e kam dhënë, Sean”, pranoi Zacharia.

Hannity e pyeti më pas: “Pse të mos thoni thjesht: ‘Kam studiuar në fakultetin juridik të Pepperdine dhe më pas zgjodha një rrugë tjetër profesionale’? Pse të hyni në gjithë këtë histori të gjatë e të ndërlikuar për dallimin mes një juristi dhe një avokati?”

Zacharia u përgjigj se nuk kishte dhënë kurrë këshilla ligjore dhe pretendoi se ishte konsultuar me profesionistë të fushës për të përcaktuar nëse mund ta quante veten avokate gjatë paraqitjeve televizive.

Të nesërmen në mëngjes, gjatë një daljeje në emisionin Fox & Friends, Zacharia u duk sikur po ia kalonte përgjegjësinë presidentit Donald Trump dhe ngriti pikëpyetje për procesin e verifikimit të kandidatëve, kur deklaroi se askush në administratën Trump nuk e kishte pyetur ndonjëherë për kualifikimet e saj ligjore.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Independent