Dje, në Instagramin e Kryeministrit, u shfaq një video propagandistike për Butrintin. Një seri pamjesh, me sa duket e përgatitur nga ekipi i AADF-së (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim), që paraqiste disa ndërhyrje në Qytetin Antik dhe punët e kryera për infrastrukturën turistike.
Nuk është e pazakontë që Kryeministri i vendit, veçanërisht gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, të mos ketë kohë të merret me hollësitë e një parku arkeologjik në skajin jugor të Shqipërisë dhe postimet t’i bëjë ekipi i tij. Por, kur një material publikohet nga adresa e tij zyrtare, ai merr edhe përgjegjësi politike. Dhe pikërisht për këtë arsye, videoja më bëri të ndalem e të shkruaj disa rreshta mbi dallimin e vjetër midis propagandës dhe realitetit.
Pamjet e videos tregojnë disa punime që, në vetvete, mund të jenë të dobishme. Por tregojnë edhe diçka tjetër: një Kullë Venedikase të degraduar nga brenda, infrastrukturë vizitorësh të dëmtuar, ambiente të lëna pas dore dhe një seri problemesh që nuk janë krijuar brenda natës.
Nëse gjendja e Butrintit ka qenë vërtet kaq e rënduar sa paraqitet në video, atëherë kush mban përgjegjësi për dhjetë vitet e administrimit shtetëror që i paraprinë kalimit të administrimit tek fondacioni privat AADF?
Përgjegjësia administrative dhe politike bie, ndër të tjera, mbi qeverinë dhe ministritë që kanë pasur në varësi Butrintin gjatë kësaj periudhe. Dy prej ministreve të Kulturës të kësaj periudhe ishin znj. Mirela Kumbaro, Ministrja e sotme e Arsimit, dhe znj. Elva Margariti, e zhytur në harresë publike.
Pra, videoja që synon të tregojë suksesin e administrimit të sotëm privat, pa dashje, tregon edhe dështimin e administrimit të djeshëm të shtetit të drejtuar nga Kryeministri i sotëm.
Videoja fokusohet pothuajse tërësisht tek Qyteti Antik. Por Parku Kombëtar i Butrintit nuk është vetëm teatri, bazilika, akropoli dhe muret rrethuese.
Butrinti është një Park Kombëtar, një territor i gjerë natyror dhe arkeologjik, një peizazh kulturor i jashtëzakonshëm dhe një hapësirë që përfshin lagunën, zonat arkeologjike periferike, monumentet rurale dhe peizazhin historik.
Nëse duam të gjykojmë administrimin e Butrintit, nuk mund të shohim vetëm atë që ndodh brenda rrethimit të qytetit antik.
Duhet të shohim edhe atë që ndodh jashtë tij, e këtu propaganda bëhet veçanërisht selektive.
Sipas kritikave të ngritura prej kohësh nga UNESCO dhe specialistët për ndryshimet në kufijtë e zonës së mbrojtur, një sipërfaqe e konsiderueshme e territorit të mëparshëm të mbrojtur është hequr nga mbrojtja. Kjo është një çështje që kërkon transparencë dhe një debat publik serioz. Kush e hoqi nga mbrojtja dhe çfarë arsyesh fshihen pas këtij reduktimi të hapësirës së mbrojtur? As Kryeministri dhe askush tjetër deri më sot nuk kanë dhënë sqarim publik se përse është hequr një sipërfaqe kaq e madhe nga Zona e Mbrojtur, e shpallur pasuri botërore e UNESCO-s.
Ndërkohë, kushdo mund të shkojë në këtë zonë dhe të shohë se si e gjithë hapësira nga Ksamili deri në grykëderdhjen e Kanalit të Vivarit është e rrethuar me gardhe hekuri. Janë hapur rrugë me ekskavator. Janë vendosur porta metalike dhe rojet nuk lejojnë askënd të kalojë në këtë pjesë të Parkut të Butrintit, përfshirë edhe zonën e Lagunës, të shpallur zonë nën mbrojtjen e statusit të Konventës së Ramsarit (mbrojtja e lagunave).
Ndërkohë, në pjesën lindore të Parkut ndodhet një pasuri arkeologjike që rrallë shfaqet në filmat promocionalë, totalisht e lënë pas dore dhe e braktisur nga çdo vëmendje institucionale.
Kalivo, vendbanimi i periudhës së bronzit.
Diaporiti, me vilën romake dhe kishën e shekujve IV–V.
Gjurmët e ujësjellësit romak të shekujve I–II.
Peizazhe arkeologjike dhe historike që tregojnë se historia e Butrintit nuk përfundon tek porta e qytetit antik.
Këto janë pjesë e së njëjtës trashëgimi si Qyteti Antik. Por sa ekipe arkeologjike punojnë sot atje? 0.
Sa projekte konservuese në rrënojat e Vilës, Ujësjellësit, Bazilikës së Fushës së Vrinit? 0.
Sa programe monitorimi në mbrojtjen e hapësirës? 0.
Sa investime të qëndrueshme? 0.
Sa vizitorë arrijnë t’i shohin? 0.
Këto janë pyetje që nuk marrin asnjë përgjigje nga një video promocionale në adresën e Kryeministrit tonë.
Dhe pastaj vjen Ksamili.
Hyrja e Parkut Kombëtar nga ana e Ksamilit është një tjetër histori.
Në vend të një porte dinjitoze drejt një prej peizazheve më të rëndësishme kulturore të Mesdheut, kemi prej kohësh një vend ku biznesi lokal hedh plehrat përditë. Kanë kaluar 3 vjet që nga informacioni në të gjitha hallkat e shtetit shqiptar për këtë turp dhe plehrat vazhdojnë të hidhen në hyrje të Parkut Kombëtar të Butrintit, Pasuri Botërore e UNESCO-s.
Ndërkohë, rruga e unazës së Ksamilit ka prekur territorin e zonës së mbrojtur dhe presioni i ndërtimeve mbi peizazhin e Butrintit është tashmë një çështje që nuk mund të fshihet pas imazheve të bukura të qytetit antik.
Zona përreth Diaporit, Liqenit të Bufit dhe Kalivos ndodhet përballë presionit të zhvillimit turistik, ku po planifikohen ndërtime resortesh. Ashtu siç po planifikohet edhe në hapësirat bregdetare nga Kato Ajto drejt Gjirit të Fteles, të gjitha këto pjesë të Zonave të Mbrojtura.
Në Kino Ditarin e hedhur për konsum publik shfaqen disa pamje konservuese, por ndoshta vetë Kryeministri nuk e di se në Butrint nuk ka më një ekip profesionist restauratorësh si dikur, kur ai vetë ishte Ministër i Kulturës. Konservimi i disa mureve në Butrint me gëlqere supermarketesh është trishtimi më i thellë i gjithë kësaj farse konservuese.
Ndërkohë, sipas të dhënave publike të vizitueshmërisë, Butrinti pret qindra mijëra vizitorë, por ende sot parku nuk ka guida profesionale. Ashtu siç nuk ka një forcë të sigurisë së territorit, si dikur, të trajnuar edhe nga institucione ndërkombëtare, por ka një firmë private e cila ka mbledhur disa pleq në prag pensioni për të mbrojtur hapësirën e qytetit arkeologjik.
Ndërkohë që Kino Ditari i propagandës tregon pamje të bukura, nuk arrin t’i përgjigjet një pyetjeje shumë të thjeshtë:
Sa para gjeneron Butrinti dhe ku shkojnë ato para?
Nëse të ardhurat vjetore nga vizitorët dhe aktivitetet e lidhura me parkun arrijnë në miliona euro, atëherë standardi i administrimit duhet të matet jo me një video Instagrami, por me rezultatet në terren. Me restaurimin e monumenteve. Me mbrojtjen e territorit. Me konservimin e monumenteve të dëmtuara nga koha. Me projektet për komunitetin. Me aksesin publik. Me kërkimin shkencor. Me profesionalizmin e stafit.
Dhe në fund të videos shfaqet edhe qendra e artizanatit.
Një ide që, në fakt, nuk është e re. Ajo lidhet me përpjekjet e mëparshme për të integruar komunitetin lokal në ekonominë e trashëgimisë, që në kohën kur Kryeministri i sotëm ishte administrator i Kulturës Kombëtare.
Por mjafton të flasësh me njerëzit që merren prej më shumë se njëzet vitesh me artizanatin në Butrint për të kuptuar se fotografia në ekran nuk është domosdoshmërisht fotografia në terren.
Sa prej tyre janë mbështetur realisht? 0.
Sa prej tyre kanë përfituar nga fondet që gjeneron Butrinti? 0.
Sa prej tyre janë përfshirë në mënyrë të qëndrueshme në ekonominë e parkut? 0.
Këto janë pyetje shumë më interesante sesa një pamje e bukur e një tezge artizanale.
Problemi nuk është nëse Fondacioni privat AADF ka restauruar një kullë, ka rregulluar një shteg apo ka investuar në një ndërtesë.
Problemi është tjetër. Kujt i përket përfundimisht Butrinti? Një Qytet Antik që administrohet nga të huaj dhe ku Kontrolli i Shtetit nuk ka asnjë të drejtë të shikojë se çfarë bëhet me paratë e gjeneruara nga ky Park.
Parku Kombëtar i Butrintit sot është shembulli më i qartë i mënyrës se si shteti shqiptar ia ka dorëzuar administrimin e një prej pasurive të tij më të çmuara një strukture private, e cila ka lidhje politike në Uashington. Por a është ky një justifikim moral? Mendoj jo.
Butrinti duhej të ishte modeli më i mirë se si shqiptarët dinë të administrojnë pasuritë e tyre kombëtare. Duhej të ishte Shkolla Shqiptare e Administrimit dhe jo një instrument i influencës politike personale.
Prandaj, në Kino Ditarin “sa mirë bëhen punët në Butrint”, të hedhur për publikun, mbi të gjitha, duhet të shohim atë që propaganda nuk e tregon.
TË VËRTETËN.
