Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar pamje nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku, sipas tij, shihen dy autobote uji të destinuara për përdorim nga policia gjatë protestave.
Këlliçi pretendon se mjetet do të përdoren kundër studentëve dhe të rinjve që vijojnë protestat, duke e interpretuar mbërritjen e tyre si pjesë të shtimit të masave policore.
“Edi Rama shton masat represive dhe mjetet ushtarake për të sulmuar studentët dhe të rinjtë që janë ngritur kundër korrupsionit dhe padrejtësive”, shkruan Këlliçi në reagimin e tij.
Sipas tij, qeveria nuk po fokusohet te ndalimi i akteve të dhunës, por te pengimi i protestave. Këlliçi ka përdorur edhe akuza të forta ndaj kryeministrit, duke e cilësuar situatën si një “plan të ri kriminal” dhe duke pretenduar se vendi po shkon drejt asaj që ai e quan “instalim junte”.
“Është e qartë se Edi Rama ka kaluar në një plan të ri kriminal. Ai nuk po merr masa për të ndalur dhunën, po për të ndalur protestën. Kjo u pa sot kur të rinjtë dhe studentët sulmohen edhe kur qëndrojnë të ulur në park apo përndiqen edhe në lagjet dhe rrugicat e tyre”, deklaron Këlliçi.
Në fund të reagimit, nënkryetari i PD-së pretendon se protestat do të vijojnë dhe se ekziston një mbështetje e gjerë qytetare për largimin e kryeministrit.
“Ky është instalim junte. Por askush nuk tërhiqet. Shumica e shqiptarëve kërkon largimin e tij”, përfundon Këlliçi.
