FT: IA do të nxisë rritjen ekonomike globale, përfitimet do të jenë të pabarabarta

Sipas një sondazhi të Financial Times me 94 ekonomistë nga Azia, Europa dhe Shtetet e Bashkuara, 54% e të anketuarve presin që shumë, ose pothuajse të gjitha vendet e G20, të regjistrojnë përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe rritje të produktivitetit nga inteligjenca artificiale gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Rezultatet sugjerojnë se përfitimet e teknologjisë nuk do të kufizohen vetëm në vendet që udhëheqin zhvillimin e saj, si SHBA dhe Kina. Edhe ekonomitë që nuk zhvillojnë sisteme të avancuara të inteligjencës artificiale mund të përfitojnë përmes përdorimit të teknologjisë nga bizneset, importeve të produkteve dhe shërbimeve më të lira dhe transferimit të njohurive.
Jumana Saleheen, kryeekonomiste në kompaninë e administrimit të aktiveve Vanguard, vlerëson se përfitimet do të shtrihen përtej vendeve ku zhvillohet teknologjia. Sipas saj, ekonomitë që arrijnë ta përdorin inteligjencën artificiale si një zgjidhje të gatshme mund të regjistrojnë gjithashtu rritje të produktivitetit, megjithëse me njëfarë vonese.
Edhe Martin Beck, kryeekonomist në WPI Strategy, argumenton se ndikimi ekonomik do të ndryshojë ndërmjet vendeve, por pritet të jetë pozitiv për rritjen e të ardhurave në të gjithë G20.
Produktiviteti mund të rritet më shumë se nga elektrifikimi
Optimizmi mbështetet edhe nga një studim i Bankës Botërore, i publikuar në qershor, sipas të cilit përfitimet nga inteligjenca artificiale mund të tejkalojnë ato që solli elektrifikimi.
Një zhvillim i tillë mund të përmbysë tendencën shumëvjeçare të ngadalësimit të produktivitetit global.
Sipas Bankës Botërore, rritja mesatare vjetore e produktivitetit botëror ka rënë nga 1.4% gjatë viteve 2000 në 1.1% në dekadën pasuese. Pa një ndryshim të madh teknologjik, ajo parashikohet të jetë vetëm 0.8% në vit gjatë kësaj dekade.
Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se përfitimet mund të shpërndahen në mënyrë të pabarabartë. Ekziston rreziku që një pjesë e madhe e pasurisë së krijuar nga inteligjenca artificiale të përqendrohet te aksionerët e kompanive të mëdha teknologjike, veçanërisht në SHBA dhe Kinë, në vend që të shpërndahet te punonjësit.
Banka për Rregullime Ndërkombëtare ka paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e një përmbysjeje të bumit të investimeve dhe tregjeve financiare të nxitur nga inteligjenca artificiale, që mund të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike.
Cilat vende pune janë më të rrezikuara?
Ekonomitë më pak të zhvilluara, me infrastrukturë të dobët dhe varësi nga shërbimet që mund të automatizohen, konsiderohen më të ekspozuara. Ekonomistët përmendin veçanërisht disa vende afrikane, përfshirë Nigerinë, Somalinë dhe Etiopinë.
Në tregun e punës, pozicionet më të rrezikuara janë ato administrative, shërbimi ndaj klientit, profesionet e nivelit fillestar dhe detyrat rutinë që kërkojnë përpunim informacioni.
Megjithatë, shumica e ekonomistëve nuk presin një rritje të madhe dhe të qëndrueshme të papunësisë. Ata argumentojnë se teknologjia do të krijojë profesione të reja dhe mund të ndihmojë ekonomitë që po përballen me tkurrjen e popullsisë në moshë pune.
Diane Coyle, profesore në Universitetin e Kembrixhit, vlerëson se inteligjenca artificiale do të ndryshojë natyrën e punës, por nuk ka gjasa të shkaktojë një krizë masive punësimi. / FT, TU News
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









