Udhëtimet në Europë mes protestave, nga Parisi në Tiranë, ku po zhvillohen demonstratat

Europa po përballet me një valë protestash që mund të ndikojë edhe në planet e udhëtimit të turistëve. Nga Parisi dhe Roma te Madridi, Brukseli e Tirana, demonstratat kundër kostos së lartë të jetesës, krizës së strehimit dhe pakënaqësive politike kanë mbushur rrugët e qyteteve europiane.
Shkaqet ndryshojnë, por kërkesat shpesh përputhen. Në disa qytete pati përplasje dhe dëme materiale.
Ndërsa në disa vende protestat mbeten paqësore, në të tjera janë shënuar përplasje të dhunshme me policinë. Për turistët që planifikojnë të vizitojnë këto destinacione, situata kërkon më shumë vëmendje ndaj zhvillimeve lokale dhe mundësisë së pengesave në qarkullim.
Franca
Që prej shtatorit, nxënësit kanë bllokuar shkolla kundër mungesës së mësuesve dhe kushteve të dobëta. Të shtunën, protestave iu bashkuan sindikatat dhe Jelekët e Verdhë, kundër shtrenjtimit të jetesës. Në Paris, Lion dhe Marsejë pati grabitje e zjarrvënie, ndërsa në Limoges u dogj një pjesë e madhe e bashkisë.
Presidenti Emmanuel Macron kërkoi qetësi dhe përgjegjësi për dëmet. Kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi kufizime lokale të qarkullimit gjatë natës.
Spanja
Protestat lidhen me qiratë e larta dhe mungesën e banesave të përballueshme. Shkëndija ishte dëbimi nga banesa i 87-vjeçares Maricarmen Abascal në Madrid, pas mbi 70 vjetësh; ajo ndërroi jetë në spital në fillim të tetorit. Qindra mijëra njerëz protestuan në mbi 50 qytete.
Dy dekrete për strehimin nuk kaluan në parlament. Kryeministri Pedro Sánchez njoftoi zgjedhje të parakohshme më 29 nëntor.
Portugalia
Mijëra qytetarë marshuan të shtunën për paga e pensione më të larta, shërbime më të mira dhe strehim të përballueshëm.
Në Lisbonë u ngrit një kamp me çadra në sheshin Rossio, ndërsa në Porto policia kishte shpërndarë me forcë një kamp protestues. Ministri i Brendshëm Luís Neves mbrojti ndërhyrjen si të ligjshme.
Italia
Studentët dhe sindikatat protestojnë kundër pagave të ulëta e kostos së jetesës. Ata kërkojnë ulje taksash dhe më shumë fonde për arsimin e shërbimet sociale, në vend të shpenzimeve ushtarake.
Në Milano, Torino dhe Bolonja pati përplasje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës e ujë me presion. Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi dhunën.
Shqipëria
Sipas artikullit, protestat kundër qeverisë lidhen me korrupsionin, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në arsim.
Si nxitës përmendet projekti i diskutueshëm i një resorti luksoz në bregdet, ku është i përfshirë Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Kritikët kërkojnë transparencë dhe shprehin shqetësime për zonat natyrore të mbrojtura.
Në Tiranë, ku sipas shkrimit janë bashkuar edhe studentë, raportohen zjarrvënie dhe sulme ndaj ndërtesave e bizneseve. Policia përdori gaz lotsjellës e ujë me presion. Rama ia atribuoi trazirat “forcave të huaja” dhe refuzoi dorëheqjen.
Belgjika
Në Bruksel dhe Liezh u protestua kundër kostos së jetesës, masave të kursimit dhe reformave që mund të vështirësojnë studimet universitare. Në Bruksel pati hedhje shishesh e fishekzjarrësh dhe ndërhyrje policore. Ministri i Brendshëm Bernard Quintin premtoi masa për rivendosjen e rendit.
Si lidhen protestat?
Strehimi, pagat dhe arsimi janë shqetësime të përbashkëta. Protestat në Francë duket se po frymëzojnë veprime edhe gjetkë.
Nxënës kanë bllokuar shkolla në Berlin e Hamburg, ndërsa në Dublin është protestuar për koston e jetesës dhe tarifat universitare. Megjithatë, është herët të flitet për një lëvizje të organizuar europiane.
Për ata që kanë planifikuar udhëtime drejt qyteteve europiane ku po zhvillohen protesta, rekomandohet të ndjekin informacionet e përditësuara nga autoritetet lokale dhe operatorët e transportit.
Demonstratat mund të shkaktojnë bllokime rrugësh, ndërprerje të transportit publik dhe vonesa në lëvizjen drejt aeroporteve apo atraksioneve turistike.
Udhëtarët këshillohen të kontrollojnë paraprakisht oraret e fluturimeve dhe trenave, të parashikojnë më shumë kohë për zhvendosjet dhe të shmangin zonat ku zhvillohen tubime, veçanërisht kur ka rrezik përplasjesh me policinë.
Për ata që ende nuk i kanë finalizuar rezervimet, zgjedhja e opsioneve fleksibël për akomodimin dhe transportin mund të ndihmojë në shmangien e kostove shtesë në rast ndryshimi të planeve./ Blue News
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









