Nënkryetarja e Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Dorina Prethi deklaron se policia ka arrestuar drejtues dhe anëtarë të Lëvizjes.
Ajo deklaron se, dje pasdite, rreth orës 17:30, dy anëtarë kryesie Ergys Llanaj, Ardit Dulaj, dhe shumë aktivistë të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, teksa po ecnin në Rrugën e Durrësit në drejtim të qendrës së Tiranës, janë rrëmbyer me forcë nga policia.
Sipas Prethit, ata ishin të pamaskuar dhe po lëviznin në mënyrë paqësore, pa paraqitur asnjë rrezik për rendin dhe sigurinë publike.
Avokatët e Lëvizjes, gjatë procesit përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore, kanë konstatuar parregullsi serioze që lidhen me raportin e shërbimit të hartuar nga punonjësit e policisë në terren. Sipas konstatimeve të tyre, raporti përmban të dhëna të rreme.
Për këto fakte, Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do të paraqesë kallëzim penal pranë prokurorisë për çdo person që falsifikon shkresa zyrtare, dhe çdo person që nën uniformën e Policisë së Shtetit rrëmben qytetarët në mënyrë të dhunshme rrugëve të vendit.
“Koha kur raportet e policisë ndërtoheshin mbi të dhëna të falsifikuara dhe dëshmi të rreme i përket një kapitulli të errët të historisë sonë, atij të diktaturës së Enver Hoxhës. Shqipëria nuk mund të lejojë rikthimin e praktikave që shkelin të drejtat e qytetarëve dhe e kthejnë uniformën e shtetit në mjet presioni e frikësimi.”- deklaron ajo.
Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ po ashtu i bën thirrje çdo shqiptari të mos heshtë, të reagojë e të jetë në shesh, dhe të mos bie pre e asnjë presioni politik a policor, deri në dorëheqjen e Edi Ramës dhe plotësimin e kërkesave të qytetarëve në shesh.













