Belgjika po shqyrton krijimin e një brigade të re të lëvizshme për të përballuar trazirat dhe demonstratat e dhunshme, pas incidenteve të fundit në disa qytete të vendit.
Sipas agjencisë së lajmeve Belga, ministritë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme po diskutojnë një plan për krijimin e një njësie të posaçme që do të forcojë kapacitetet e sigurisë gjatë situatave të tensionuara.
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, e ka cilësuar njësinë e propozuar si një “Xhandarmëri 2.0”, e cila do të vepronte nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nisma vjen pas protestave të dhunshme të zhvilluara në Bruksel dhe Liezhë, ku policia arrestoi 195 persona të shtunën, gjatë demonstratave kundër politikave arsimore dhe shkurtimeve buxhetore.
“Kur ka trazira, siguria duhet të rritet”, deklaroi Francken, duke theksuar nevojën për kapacitete shtesë operacionale për t’iu përgjigjur situatave të dhunshme.
Sipas propozimit, Ministria e Mbrojtjes do të ofronte trajnim ushtarak për oficerët, të cilët më pas do të viheshin në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Ne kemi nevojë për një rezervë operacionale me trajnim ushtarak. Kur dhuna është kaq ekstreme, ne duhet të jemi në gjendje të mbrojmë qytetarët”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.
Ai bëri të ditur gjithashtu se kryeministri belg, Bart De Wever, është në dijeni të planeve për krijimin e kësaj njësie.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Bernard Quintin, konfirmoi se diskutimet janë në zhvillim, duke e paraqitur nismën si një zgjerim të bashkëpunimit ekzistues mes policisë dhe ushtrisë.
Si shembuj të këtij bashkëpunimi, ai përmendi sigurimin e objekteve të caktuara dhe patrullimet e përbashkëta me policinë hekurudhore.
Plani synon të rrisë gatishmërinë e autoriteteve belge për të përballuar trazirat dhe për të garantuar sigurinë publike gjatë protestave, ndërsa detajet përfundimtare të organizimit dhe funksionimit të brigadës mbeten objekt diskutimi mes institucioneve përkatëse.


