Kryeministri francez Lecornu u kërkon autoriteteve rajonale vendosjen e shtetrrethimit të pjesshëm

Lecornu: Gati të shpall gjendjen e jashtëzakonshme nëse është e nevojshme
Kryeministri francez Sébastien Lecornu njoftoi të hënën se kishte udhëzuar autoritetet rajonale të vendosnin “shtetrrethime të pjesshme dhe të kufizuara në zona të caktuara”, me qëllim parandalimin e trazirave dhe plaçkitjeve të mëtejshme, pas një fundjave të përshkuar nga dhuna në të gjithë Francën.
“Jam plotësisht i vendosur të rivendos rendin”, deklaroi Lecornu pas një mbledhjeje për menaxhimin e krizës, duke shtuar se nuk e përjashton mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
“Nëse do të jetë e nevojshme, do ta bëj”, deklaroi ai.
“Megjithatë, në rrethanat aktuale, vendosja dhe zbatimi i shtetrrethimit duket se është një masë më e përshtatshme për situatën me të cilën mund të përballemi”, shtoi Lecornu.
“Të shtunën, pavarësisht skenave të dhunës ekstreme dhe dëmeve të mëdha materiale, askush nuk humbi jetën, dhe kjo është një mrekulli”, deklaroi kryeministri pas një mbledhjeje të ekipit qeveritar për menaxhimin e krizave.
Lecornu gjithashtu mbrojti punën e forcave të policisë, të cilat ishin përballur me grupe protestuesish të dhunshëm.
Kjo ndodh në një kohë kur presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi të pranonte dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez, duke theksuar “nevojën për të garantuar vazhdimësinë e drejtimit të forcave të sigurisë, duke marrë parasysh situatën aktuale”, bëri të ditur Pallati Élysée në një deklaratë të hënën.
Sipas deklaratës, presidenti i ka ngarkuar ministrit të Brendshëm detyrën që “të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar transparencë të plotë lidhur me dështimet në planifikim dhe në mbledhjen e informacioneve të inteligjencës, të cilat çuan në këtë valë dhune”.
Macron ka bërë gjithashtu thirrje për “zbatimin e taktikave të reja policore në terren”.
Ministri i Brendshëm Nuñez pranoi se policia kishte “humbur kontrollin” e situatës në disa qytete.
“Një sërë masash për të penguar dhe parandaluar veprimet e plaçkitësve dhe vandalëve” do të zbatohen “duke filluar nga mbrëmja e kësaj të hëne”, njoftoi ministri i Brendshëm. Ai shtoi se prania e forcave të policisë dhe xhandarmërisë në terren do të përforcohet më tej në prag të fundjavës.
Të dielën në mbrëmje, disa grupe dolën sërish në rrugë, duke u vënë flakën kazanëve të mbeturinave, biçikletave dhe objekteve të tjera, si dhe duke plaçkitur dyqane në qytete të ndryshme, përfshirë Parisin, Lionin dhe Marsejën.
Sipas autoriteteve, rreth 2.400 persona u arrestuan në të gjithë Francën gjatë fundjavës në lidhje me protestat./ France24
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









