Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj nga protesta: Rama po e drejton vetë policinë, mban përgjegjësi për dhunën


 

Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar nga sheshi i protestës, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përshkallëzimin e situatës dhe përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.

Në një prononcim për News24, Shehaj e cilësoi reagimin e policisë si të papranueshëm dhe tha se përpjekja për të ndalur protestën përmes forcës ka sjellë efekt të kundërt.

Sipas tij, qytetarët kanë kërkuar në mënyrë paqësore largimin e Ramës dhe ndryshimin e sistemit politik, ndërsa kryeministri ka zgjedhur, sipas tij, të reagojë me dhunë.

“Veprimet e policisë janë kriminale. Edi Rama kërkon të rrijë në pushtet me çdo kusht, pavarësisht protestave. Ka mbi 140 ditë që protestohet. Qytetarët si kurrë më parë kërkuan në mënyrë paqësore largimin e tij dhe ndryshimin e sistemit politik 35-vjeçar. Rama reagoi si çdo autokrat i rëndomtë: me dhunë. Mendonte se përmes dhunës do ta fikte protestën, por ndodhi e kundërta, protesta u bë edhe më e madhe dhe situata u shkallëzua”, u shpreh Shehaj.

Kreu i “Mundësisë” deklaroi se përgjegjësia për çdo dhunë apo shkatërrim bie, sipas tij, mbi kryeministrin dhe kërkoi dorëheqjen e tij si rruga për t’i dhënë fund përplasjes.

“Nëse ka dhunë dhe shkatërrime, përgjegjësi kryesor është vetëm Edi Rama. Rama duhet të njoftojë dorëheqjen nëse duam që kjo të mbarojë. Kur ai të japë dorëheqjen, mbaron çdo dhunë dhe protestë. Qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeje është dorëheqja e tij”, tha ai.

Shehaj akuzoi gjithashtu Ramën se po ndërhyn drejtpërdrejt në drejtimin e policisë për të mbrojtur pushtetin e tij.

“Edi Rama po e drejton vetë policinë, jo drejtori i policisë. Rama është në krye të detyrës jo për të mbrojtur shtetin, por për të mbrojtur veten e vet”, deklaroi Shehaj.

Në përmbyllje, ai kundërshtoi edhe etiketimin e të rinjve protestues si “dështakë”, duke e lidhur këtë me akuzat e tij për korrupsion dhe favorizim të miqve e familjarëve.

“Ky që ka dhënë në qeverisjen e tij vetëm korrupsion, u thotë ‘dështakë’ të rinjve të vendosur që duan të jetojnë në Shqipëri. Ata janë shumë të aftë; nuk quhet ‘aftësi’ të abuzosh me detyrën dhe të ndash pushtetin me miqtë dhe familjarët e tu”, tha ai.