Përballja mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve do të zhvillohet sipas planit të paraparë, pavarësisht tensioneve dhe përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në Francë. Këtë e ka konfirmuar ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, duke përjashtuar mundësinë e shtyrjes së takimit.
Situata e tensionuar në Francë kishte ngritur shqetësime për zhvillimin e ndeshjes, pasi një përfaqësues i sindikatës së policisë kishte kërkuar shtyrjen e saj për shkak të trazirave sociale dhe përplasjeve në vend.
Megjithatë, autoritetet franceze kanë bërë të ditur se nuk ka arsye për ndryshimin e kalendarit të garës evropiane.
“Shtyrja e ndeshjes mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës nuk është në shqyrtim. Edhe ndeshjet e tjera që mund të zhvillohen në kuadër të Ligës së Kampionëve nuk janë në rrezik”, ka deklaruar Nunez.
PSG dhe Barcelona synojnë fitoren
Ndeshja në stadiumin “Parc des Princes” pritet të jetë një nga përballjet më interesante të xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Të dyja skuadrat e kanë nisur mirë garën, duke regjistruar nga dy fitore në dy ndeshjet e para. PSG-ja ka triumfuar ndaj Manchester Cityt, ndërsa Barcelona ka marrë fitore kundër Galatasarayt dhe Feyenoordit, duke konfirmuar synimet për të vazhduar me rezultate pozitive në garën më prestigjioze evropiane për klube.
Flick përballet me mungesa në mbrojtje
Për trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick, sfida ndaj kampionëve në fuqi të Evropës vjen me disa shqetësime, veçanërisht në repartin defensiv.
Jules Kounde dhe Eric Garcia janë jashtë këtij takimi, ndërsa Gerard Martin po përballet me një shqetësim fizik të pësuar në ndeshjen ndaj Real Betisit.
Përveç rëndësisë së duelit në Paris, Flick duhet të marrë parasysh edhe përballjen e ardhshme ndaj Real Madridit në “El Clasico”, çka mund të ndikojë në menaxhimin e minutave dhe gjendjen fizike të futbollistëve.
Në anën tjetër, PSG-ja do të jetë pa mbrojtësin Nuno Mendes.
Konfirmimi nga ministri i Brendshëm francez ka larguar mundësinë e shtyrjes së ndeshjes, të paktën për momentin, duke bërë që përgatitjet e të dyja skuadrave të vazhdojnë sipas planit.
© SYRI.net
Shqipëria fiton medaljen e parë në karate, Neevis Hasani ‘i bronztë’ në Botëror
Paraqitjet e legjionarëve/ Daku, Seferi, Laçi, Manaj dhe Uzuni shënojnë, Muçi, Shpendi e Pilo japin asiste
Tronditet Juventusi, konfirmon dëmtimin e Francisko KonseisaosBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: