Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me kryetarin e Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës në Miradi të Poshtme.

Sipas njoftimit të Prebrezës, Komuna e Fushë Kosovës tashmë ka ndarë parcelën e nevojshme për realizimin e këtij projekti, i cili synon krijimin e kushteve moderne për atletët dhe zhvillimin e mëtejmë të atletikës.


Prebreza ka theksuar se investimi në sport është investim te të rinjtë, talentet dhe e ardhmja, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të hapësirave të përshtatshme për zhvillimin e sportistëve. /Telegrafi/