Fansat filmojnë momentin kur qëllohet me armë ndaj aktorit Tiger Shroff (VIDEO)

19 Tetor 2026 | 17:55

Aktori i njohur indian, Tiger Shroff, 36 vjeç, i ka shpëtuar një sulmi të armatosur në Mumbai, pasi persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj automjetit me të cilin ai po udhëtonte të dielën në mbrëmje, më 18 tetor. Aktori nuk pësoi lëndime, ndërsa dy persona, përfshirë shoferin e tij, mbetën të plagosur.

Sulmi ndodhi në zonën Juhu, ndërsa Shroff po largohej nga një klub futbolli ku kishte shkuar për të luajtur. Sipas autoriteteve lokale, personat e armatosur iu afruan automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi të ulët pranë një turme njerëzish, dhe qëlluan disa herë në drejtim të tij.

Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë të paktën dy persona të armatosur duke qëlluar nga një distancë e afërt drejt sediljes së pasagjerit, ndërsa automjeti kalon pranë tyre. Të shtënat ndodhën në prani të civilëve.

Sipas policisë së Mumbait, dy persona u plagosën gjatë sulmit. Përveç shoferit të aktorit, mediat lokale raportojnë se u plagos edhe një shofer taksie me tri rrota, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes.

Shoferi i Shroff u dërgua për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Autoritetet po mbledhin dëshmi dhe po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të sqaruar rrethanat e sulmit.

Sipas mediave indiane, hetuesit po shqyrtojnë edhe një pretendim për marrjen e përgjegjësisë nga organizata kriminale e Lawrence Bishnoi, por deri më tani nuk e kanë konfirmuar vërtetësinë e tij.

Zëvendëskryeministri: Nuk do të tolerojmë përpjekjet për frikësim

Sulmi u dënua nga zëvendëskryeministri i shtetit të Maharashtras, Eknath Shinde, i cili vizitoi aktorin pas incidentit. Ai tha se si Tiger Shroff, ashtu edhe nëna e tij, ishin thellësisht të shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur.

“Këto përpjekje për frikësim nuk do të tolerohen dhe ne do t’i japim fund këtij lloj huliganizmi”, deklaroi ai.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria e figurave të njohura në Indi, ku vitet e fundit janë regjistruar disa incidente me armë zjarri që kanë përfshirë aktorë, politikanë dhe personalitete të tjera publike.

Sulme të mëparshme ndaj figurave të njohura në Indi

Në vitin 2024, policia indiane arrestoi dy persona të dyshuar për përfshirje në një sulm me armë zjarri ndaj banesës së aktorit të Bollywood-it, Salman Khan.

Po atë vit, politikani Baba Siddique u vra nga persona të armatosur në Mumbai, në një ngjarje që nxiti shqetësime për dhunën e lidhur me grupet kriminale.

Kush është Tiger Shroff?

Tiger Shroff, 36 vjeç, është një nga aktorët e njohur të Bollywood-it. Ai vjen nga një familje me traditë në kinemanë indiane dhe është djali i aktorit Jackie Shroff.

Ai debutoi në film në vitin 2014, me filmin romantik “Heropanti”, dhe më pas u bë pjesë e disa prodhimeve të njohura në Indi.

Përveç aktrimit, Shroff është i apasionuar pas futbollit dhe luan për Mumbai FC. Ai ndodhej në klubin e futbollit nga i cili po largohej kur ndodhi sulmi.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deputetja australiane në gjendje kritike, u përplas qëllimisht me makinë

Deputetja e pavarur australiane Ellen Hines është sulmuar të dielën jashtë zyrës së saj në Wangaratta, në shtetin e Viktorias. Ajo është dërguar në spital...
17:41 | 19/10/2026

Musk premton aksione të SpaceX për çdo fëmijë amerikan

Elon Musk premtoi të hënën se do t’i dhurojë një nga aksionet e tij të SpaceX “çdo fëmije në Amerikë” vitin e ardhshëm. Oferta erdhi...
17:34 | 19/10/2026

Diddy largohet papritur nga burgu në New Jersey, dyshimet për sigurinë e tij shtojnë misterin e transferimit

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs është transferuar papritur nga burgu federal FCI Fort Dix, në New Jersey, drejt një institucioni tjetër në Pensilvani, në një...
17:15 | 19/10/2026