Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se mësuesit që nxisin nxënësit të marrin pjesë në akte dhune dhe të dëmtojnë shkollat nuk do të punojnë më në arsim apo në institucione shtetërore. Rama iu referua një rasti në Lezhë, ku sipas tij, mësuesit kanë nxitur nxënësit të thyejnë xhamat e shkollës.

"Po këto të gjitha nuk hyjnë në lupën e lavatriçeve të parave të zeza në media dhe as në gropat e zeza ku fshihen të ardhurat e shqiptarëve, evazion fiskal me miliona e miliona euro, sepse ato janë aty për ta sjellë ditën e gurit dhe të hurit, me gjithfarë shpifjesh dhe me një tam-tam të përditshëm, të përditshëm e të përditshëm, duke i rrokur kokën të gjithë dynjasë për t'i thënë që çdo pakënaqësi që ju krijohet vjen nga ata atje që po ju vjedhin të gjitha çdo ditë.

Mësues, mësues që marrin nxënësit dhe i nxjerrin nga shkolla dhe u thonë: "Bini xhamave të shkollës", siç ndodhi në Lezhë.

Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do të marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë më në shtet.

Si mundet një mësues t'i thotë nxënësit të thyejë xhamin e shkollës? Çfarë është kjo lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore?", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Protestat/ Rama: PD përdor të miturit ‘mish për top’, ëndërron rikthimin e 21 Janarit! Prindërit do paguajnë faturat e akteve vandale! 2900 € shpërblim për policët, s’ka negociatë me dhunuesit