Mbi 42 mijë individë kanë përfituar rimbursime nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA 2025), përmes zbritjeve tatimore për fëmijët dhe kthimit të tatimit të paguar më tepër gjatë vitit fiskal.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, deri më 30 shtator 2026 janë rimbursuar gjithsej 6.84 milionë euro për 42 132 individë. Procesi i kthimit të shumave vijon edhe gjatë muajit tetor.
Rimbursimet bazohen në legjislacionin për tatimin mbi të ardhurat, i cili parashikon zbritje nga baza e tatueshme për individët me fëmijë në ngarkim, si dhe kthimin e shumave të paguara më tepër gjatë vitit.
Administrata Tatimore u bën me dije qytetarëve se ata që rezultojnë me tepricë kreditore nga DIVA 2025 mund të aplikojnë për rimbursim në çdo kohë përmes platformës elektronike e-Filing.
Procedura synon t’u kthejë tatimpaguesve shumat që u takojnë, në përputhje me deklarimet e tyre dhe legjislacionin në fuqi.


