Kapsollat e para janë hedhur në Bulevard, ndërsa protestuesit kanë nisur marshimin në drejtim të sheshit “Skënderbej”.
Situata në zonë po shoqërohet me lëvizjen e protestuesve përgjatë bulevardit, në kuadër të tubimit të zhvilluar në kryeqytet.
Po ashtu në protestë është hedhur edhe një molotov, ndërsa marshimi vijon ende.
Protestuesit i janë drejtuar bllokut të ministrive duke lënë pas bulevardin “Dëshmorët e Kombit.” Ata po vendosin zjarre në rrugë dhe po hedhin fishekzjarrë.
Policia po tenton t’i shpërndajë duke ndërhyrë menjëherë me gaz lotsjellës.
Strategji e re e Policisë së Shtetit në ditën e shtatë të protestave të dhunshme në Tiranë. Ndërhyrje të menjëhershme me gaz lotsjellës e ujë dhe ndjekje këmba-këmbës të protestuesve të maskuar, duke mos i lejuar të rigrumbullohen për të vijuar sulmet. Ndryshe nga ditët e mëparshme, forcat e shtuara të policisë i ndoqën në çdo rrugë ku u zhvendosën, duke shpërndarë brenda rreth dy orësh grupin e të maskuarve.
Por dhuna nuk mungoi. Protestuesit sulmuan me gurë e kapsolla efektivët dhe mësynë Gjykatën e Apelit, ku thyen xhamat, shembën derën dhe hynë brenda godinës. Për sulmin ndaj gjykatës, 5 protestues u arrestuan, mes tyre njw i mitur, dhe 15 të tjerë u shpallën në kërkim. Pas shpërndarjes së grupit të maskuar, në bulevard ka mbetur një numër i vogël protestuesish, disa prej të cilëve hodhën para në shkallët e Kryeministrisë, në shenjë ironie ndaj shpërblimit prej 2500 eurosh të premtuar nga Rama për policët.
Dita nisi me kontrolle policore në sheshin “Skënderbej”, ku efektivët kontrolluan çantat e të rinjve për sende të paligjshme. Rreth orës 11:30, protestuesit nisën të grumbulloheshin para Ministrisë së Arsimit, ku, njësoj si një ditë më parë, pati këngë e valle. Të rinj shkulnin pllakat e trotuarit për t’i përdorur kundër policisë, të tjerë u ofronin sanduiçë efektivëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit.