Pesë persona janë vënë në pranga dhe 15 të tjerë janë shpallur në kërkim pas dëmtimit të dyerve dhe dritareve të godinës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë tubimit të zhvilluar sot.
Sipas njoftimit të Policisë, pas veprimeve hetimore të kryera gjatë protestës, janë identifikuar 20 shtetas, të cilët dyshohet se kanë dëmtuar me sende të forta dyert dhe dritaret e institucionit.
Në pranga kanë rënë A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç, si dhe një 16-vjeçar.
Gjatë kontrollit fizik të të miturit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi lëndësh piroteknike.
Ndërkohë, 15 personat e tjerë të identifikuar janë shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


