Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u ka bërë thirrje të rinjve që të mos përfshihen në akte dhune gjatë protestave në Tiranë, duke paralajmëruar se ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton nga përgjegjësia individuale për veprimet e paligjshme.
Në një deklaratë për mediet, Ruseti tha se, pavarësisht incidenteve të regjistruara gjatë ditës, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit, situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit po vijon detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese”, deklaroi zv.ministrja.
Ajo u kujtoi të rinjve dhe prindërve se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht personat nga përgjegjësia penale. Sipas Rusetit, në bazë të Kodit Penal, përgjegjësia për krimet nis në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç.
Megjithatë, ajo theksoi se përgjegjësia do të përcaktohet për secilin person veçmas, bazuar në veprimet konkrete dhe provat, duke respektuar prezumimin e pafajësisë. Sipas saj, askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm sepse ndodhej në të njëjtin tubim.
“Interesi më i lartë i fëmijës, e drejta për mbrojtje dhe trajtimi me dinjitet do të udhëheqin çdo veprim institucional të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të shtetit shqiptar”, u shpreh Ruseti, duke nënvizuar se synimi është parandalimi i dëmtimit të të miturve dhe përfshirjes së tyre të mëtejshme në veprimtari të kundërligjshme.
Zv.ministrja u bëri thirrje të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve të largohen nga dhuna dhe të mos ndikohen nga presioni i grupit apo thirrjet në rrjetet sociale.
“Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi”, apeloi ajo.
Një mesazh Ruseti pati edhe për prindërit dhe kujdestarët, të cilëve u kërkoi të vijojnë bashkëpunimin me institucionet dhe të bisedojnë me fëmijët jo vetëm për pasojat fizike dhe psikologjike të dhunës, por edhe për pasojat ligjore.
Në fund, ajo falënderoi prindërit dhe kujdestarët që iu përgjigjën thirrjes për bashkëpunim dhe shoqëruan fëmijët në shkollë, duke kontribuar, sipas saj, në shmangien e përfshirjes së tyre në një protestë ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme.


