Vendosni fjalën kyçe....

“Policia na dhunoi, ndaloi sapo erdhi media” – Denoncimi


Disa vajza që morën pjesë në protestën e zhvilluar sot kanë denoncuar dhunën nga ana e efektivëve të policisë. Sipas dëshmive të tyre, ndërhyrjet fizike kanë pushuar pasi në vendngjarje kanë mbërritur mediat.

Njëra prej protestueseve tregoi se ajo dhe vajza të tjera ishin fshehur nga frika se mund të shoqëroheshin nga policia. Ajo pretendoi se ishte goditur në buzë, ndërsa një tjetër vajzë ishte plagosur me gur.

“Unë dhe gocat ishim fshehur nga policia, se e dimë se na kapnin. Më qëlluan në buzë. Na rrahën, një gocë tjetër u godit me një gurë nga policia. Kur erdhën mediat, efektivët ndaluan dhunën”, deklaroi ajo.

Një tjetër protestuese pretendoi se efektivët kishin përdorur gurë gjatë ndërhyrjes, ndërsa sjellja e tyre kishte ndryshuar me mbërritjen e kamerave.

“Na qëlluan me gurë, që e kanë hedhur policët. Kur erdhët ju, thjesht na shtynë, se panë kamerat”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, një tjetër pjesëmarrëse shpjegoi se arsyeja e daljes në protestë lidhet me vështirësitë ekonomike, çmimet e larta dhe nivelin e ulët të pensioneve. Ajo ngriti shqetësime edhe për cilësinë e arsimit dhe pamundësinë e familjeve për të përballuar shpenzimet e përditshme.

“Ne protestojmë për të drejtat tona. Duam që shkollat të jenë tamam, edhe pensionet janë shumë të ulëta. Punojmë gjithë familja dhe prapë llogaria nuk del. Me 500 mijë lekë çfarë do bësh. Ushqimet dhe çdo gjë janë tepër të shtrenjta. Nuk ka rob që në ndalon. Kemi marrë kërcënime që mos të protestojmë”, deklaroi protestuesja.