Mbahej sot protesta e shtatë në Tiranë, që nisi si revoltë studenteske më 13 tetor dhe u zgjerua me pjesëmarrjen e qytetarëve. Dita u karakterizua nga përplasje mes protestuesve dhe policisë dhe kulmoi me sulmin ndaj Gjykatës së Apelit.
Në mëngjes protesta nisi me masa të shtuara sigurie; në sheshin “Skënderbej” policia kontrolloi çanta dhe më pas protestuesit u grumbulluan para Ministrisë së Arsimit. Tubimi nisi me këngë e valle dhe thirrje “Hiqni uniformat” ndaj efektivëve. Rreth orës 12:30 disa të rinj shkulën pllaka dhe gurë nga trotuari, ndërsa të tjerë i ofruan sanduiçe policëve para ministrisë. Tensionet u rritën rreth orës 13:00, kur protestuesit hodhën gurë dhe kapsolla ndaj forcave të rendit; policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për t’i shpërndarë dhe për t’i larguar nga zona e Ministrisë së Arsimit.
Përplasjet vazhduan në Rrugën e Durrësit dhe zonën e “Kafe Flora”, ku policia përmes megafonit kërkoi largimin e qytetarëve dhe vazhdoi ndërhyrjen me ujë dhe gaz. Efektivët nuk lejuan rigrumbullimin e protestuesve, të cilët u zhvendosën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Rreth orës 14:00 një grup protestuesish të maskuar sulmoi godinën e Gjykatës së Apelit, duke thyer dyer e xhama; disa arritën të hynin brenda, ku ndodheshin edhe punonjës. Pas këtij incidenti policia nisi shoqërimet dhe shpërndarjen e grupeve.
Sipas Policisë, për dëmtimin e dyerve dhe dritareve të Gjykatës së Apelit u identifikuan 20 persona; pesë u arrestuan dhe 15 u shpallën në kërkim. U sekuestrua gjithashtu një sasi lëndësh piroteknike. Protestuesit qëndruan gjatë disa orësh para kryeministrisë pa konfrontim, por rreth orës 18:00, gjatë marshimit në bulevard, situata u tensionua pranë Ministrisë së Brendshme; turma u nda në dy grupe dhe nisi të godiste me mjete piroteknike ndërtesën, ndërsa policia ndërhyri me autobotë.
Kreu i qeverisë Edi Rama bëri thirrje për dialog “pa kushte” dhe kërkoi distancim nga dhuna; lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpreh mbështetje për protestën dhe përsëriti kërkesën për largimin e qeverisë. Ngjarime të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera; në Kurbin u raportuan përplasje dhe hedhje molotovësh ndaj godinës së Bashkisë, ku u shkaktuan flakë në hyrje.
