Protesta e nisur më 13 tetor nga studentët në Tiranë ka vijuar për të shtatën ditë radhazi, duke u shoqëruar me tensione dhe episode dhune. Tubimit i janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, ndërsa gjatë ditës së sotme situata u përshkallëzua në disa zona të kryeqytetit.

Momenti më i rëndë u regjistrua pranë Gjykatës së Apelit, ku një grup protestuesish të maskuar sulmoi godinën, duke thyer dyer dhe xhama me sende të forta. Disa prej tyre arritën të hynin në ambientet e brendshme, ku ndodheshin edhe punonjës të institucionit.

Pas incidentit, policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës dhe nisi shoqërimin e personave të përfshirë. Sipas Policisë, për dëmtimin e dyerve dhe dritareve të gjykatës u identifikuan 20 persona, pesë prej të cilëve u arrestuan, ndërsa 15 të tjerë u shpallën në kërkim. Gjatë veprimeve u sekuestrua edhe një sasi lëndësh piroteknike.

Grumbullimi i protestuesve nisi gjatë paradites, nën masa të shtuara sigurie. Në sheshin “Skënderbej”, policia kreu kontrolle ndaj disa të rinjve, ndërsa më pas protestuesit u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit.

Në fillim, tubimi u shoqërua me këngë, valle dhe thirrje drejtuar efektivëve, mes tyre edhe “Hiqni uniformat”. Rreth orës 12:30, situata nisi të ndryshojë, kur disa protestues shkulën pllaka dhe gurë nga trotuari. Në të njëjtën kohë, të tjerë iu afruan efektivëve me sanduiçë.

Rreth orës 13:00, drejt policisë u hodhën gurë dhe kapsolla. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën dhe për ta larguar nga zona e Ministrisë së Arsimit.

Përplasjet vijuan në Rrugën e Durrësit dhe pranë zonës së njohur si “Kafe Flora”. Policia u bëri thirrje qytetarëve përmes megafonit që të largoheshin nga rruga, ndërsa protestuesit u zhvendosën më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Pas incidentit pranë Gjykatës së Apelit, protestuesit qëndruan për disa orë përpara Kryeministrisë pa konfrontime me policinë. Megjithatë, rreth orës 18:00, pas nisjes së marshimit në bulevard, situata u tensionua sërish pranë Ministrisë së Brendshme.

Protestuesit u ndanë në grupe dhe hodhën mjete piroteknike në drejtim të godinës, ndërsa policia ndërhyri me autobotë për shpërndarjen e turmës.

Përplasjet vijuan në kryqëzimin mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, ku protestuesit hodhën fishekzjarrë dhe molotovë drejt efektivëve. Policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa marshimi vijoi më pas drejt Rrugës së Dibrës. Në disa momente, protestuesit u gjendën të rrethuar nga forcat e rendit.

Përpara protestës, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për dialog “pa kushte” dhe kërkoi distancim nga dhuna. Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu mbështetjen e opozitës për tubimin dhe përsëriti kërkesën për largimin e qeverisë.

Protesta u zhvillua edhe jashtë Tiranës. Në qytete të tjera u raportuan tubime dhe marshime, ndërsa në Kurbin pati përplasje dhe u hodhën molotovë drejt godinës së Bashkisë, duke shkaktuar flakë në hyrje të saj.