Disa qindra protestues janë zhvendosur drejt zonave të tjera të Tiranës, pas përplasjeve të përsëritura me forcat e policisë gjatë protestës së shtatë të të rinjve kundër qeverisë së Edi Ramës.
Sipas informacioneve nga terreni, protestuesit janë ndarë në disa grupe, të cilat po lëvizin në zonën e “9-katësheve”, në bulevardin “Zogu i Parë” dhe në Rrugën e Dibrës.
Tensionet u përshkallëzuan pas disa momenteve të protestës paqësore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Protestuesit kanë vijuar thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa përplasjet me efektivët e policisë janë përsëritur në disa pika të kryeqytetit.
Pranë sheshit “Skënderbej”, protestuesit kanë shpërthyer lëndë piroteknike, ndërsa autobotët e policisë kanë hedhur gaz lotsjellës, duke mbushur me tym zonat ku po zhvilloheshin përplasjet.
Pas përballjeve në qendër, grupet e protestuesve janë shpërndarë në rrugët kryesore të Tiranës. Situata është shoqëruar me flakë, britma dhe lëvizje të shumta të forcave të policisë në terren.
Ndërkohë, kanë nisur edhe shoqërimet policore të protestuesve, ndërsa protesta e kësaj të hëne vijon mes tensioneve dhe përshkallëzimit të situatës në kryeqytet.a.b





