Qeveria ka miratuar shpërblimin financiar për 2,750 punonjës të Policisë së Shtetit, pas angazhimit të tyre gjatë protestave në Tiranë. Vendimi vjen pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama, ndërsa fondi prej mbi 740 milionë lekësh do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 19 tetor 2026 dhe parashikon shtimin e buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me 740 milionë e 80 mijë lekë, në zërin e shpenzimeve korrente të programit “Policia e Shtetit”.
Sipas dokumentit zyrtar, shpërblimi jepet për angazhimin e shtuar të efektivëve në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Megjithatë, vendimi përcakton se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të hartojë listën përfundimtare të përfituesve, bazuar në dokumentacionin justifikues, dhe do të ndjekë procedurat për dhënien e pagesave.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Vendim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Tetor 2026:
V E N D I M
PËR
DHËNIE SHPËRBLIMI PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE PËR NJË SHTESË NË BUXHETIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, MIRATUAR PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
2. Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.
3. Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA


