Gjashtë persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë, kur një dron rus goditi një park në rajonin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës, thanë autoritetet më 19 tetor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin, që e cilësoi si “mizori”, duke shkruar në Facebook se droni “goditi direkt njerëzit në një park afër një kafeneje”. Në mesin e tyre ishte një vajzë njëvjeçare, shkroi ai, duke ripublikuar një fotografi të një vajze të vogël në një karrocë fëmijësh.

Sulmi në parkun qendror të Nova Vodollagës, në rajonin verilindor të Harkivit, la të vrarë edhe nënën e vajzës. Qyteti, që gjendet pranë vijës së frontit, kishte rreth 10.000 banorë para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të ZUUkrainës në vitin 2022.

Guvernatori i rajonit të Harkivit, Oleg Synegubov, tha në Telegram se në mesin e viktimave janë tre fëmijë dhe 15 persona të tjerë janë plagosur shtatë prej të cilëve, sipas tij, janë fëmijë. Në një postim të mëhershëm në Telegram, Synegubov dënoi “një tjetër akt terrorist nga Federata Ruse”.

“Armiku godet një park rekreativ në mes të ditës, duke e ditur se aty nuk ka fare infrastrukturë ushtarake”, tha ai.

Edhe policia e rajonit të Harkivit publikoi në Telegram fotografi ku shiheshin një karrocë e djegur, pajisje të dëmtuara të këndit të lojërave dhe një strukturë prej druri në prag të shembjes. Ndërkohë, Zelensky përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve të Kievit që t’i sigurojnë vendit më shumë kapacitete të mbrojtjes ajrore, në një kohë të rritjes së tensioneve me presidentin amerikan, Donald Trump.

Trump mbron lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë

“Kërkojmë që sanksionet ndaj Rusisë të mbeten në fuqi për sa kohë që vazhdojnë vrasjet. Kërkojmë që Amerika të jetë e fortë”, tha Zelensky, i cili më herët ka kritikuar vendimin e Uashingtonit për të hequr disa sanksione ndaj Moskës.

Ndërkaq, autoritetet lokale në rajonin lindor të Luhanskut, të pushtuar nga Rusia, thanë se tre persona u vranë të hënën, kur një sulm ukrainas goditi një automjet për transportin e arkivoleve.

“Një sulm ukrainas shënjestroi një automjet të shërbimit funeral që po transportonte një person të vdekur. Ky sulm u mori jetën tre personave”, tha në Telegram Leonid Pasechnik, udhëheqësi i rajonit i instaluar nga Moska./REL