310 persona kanë marrë ndihmë mjekësore që prej 13 tetorit, në lidhje me protestat, mes tyre 191 punonjës policie, 88 protestues dhe 31 kalimtarë. Të dhënat janë bërë publike në përditësimin e autoriteteve shëndetësore për gjendjen e të lënduarve gjatë protestës së 19 tetorit, deri në orën 21:00.
Sipas njoftimit, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjatë ditës katër kalimtarë për të marrë ndihmë mjekësore. Njëri prej tyre, përfaqësues i një mediaje ndërkombëtare, është larguar pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm, në gjendje jashtë rrezikut për jetën dhe me këshillën e mjekut.
Dy kalimtarë ndodhen ende në spital, ku po kryejnë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa një tjetër i lënduar është larguar pasi ka marrë trajtimin mjekësor.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre persona: një efektiv policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias. Sipas përditësimit, të tre janë në gjendje shëndetësore stabël.
Bilanci i përgjithshëm që prej 13 tetorit përfshin 310 të lënduar: 191 punonjës policie, 88 protestues dhe 31 kalimtarë.


